Media ka një ndikim të madh në formimin e opinionit publik dhe ndërgjegjësimin shoqëror. Megjithatë, shpeshherë ndeshemi me një sfidë të madhe: përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ky fenomen ka pasoja të rënda në shoqërinë kosovare, e cila drejtpërdrejt prek këto komunitete, duke nxitur ndarjen dhe diskriminimin, fenomen ky me të cilin komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian përballen çdo ditë. Është e rëndësishme që pikërisht media të promovojë një gjuhë të respektuar dhe duke përfshirë në vend të saj forma të ndryshme me të cilat, motivohen dhe inkurajohen komunitete që sa më shumë të jenë pjesë e jetës institucionale coftë ajo qëndrore dhe coftë ajo lokale, duke qen se pikërisht këto institucione marrin vendime ligjore të rëndësishme të cilat rregullojnë jetën e secilit qytetar të Republikës së Kosovës.
Në media, shpeshherë hasim shpërdorime të gjuhës së urrejtjes ndaj komuniteteve rom, ashkali egjiptian. Këtu përfshihen fyerjet, stereotipat negative dhe inicim të urrejtjes ndaj këtyre pjesëtarëve. Ky fenomen jo vetëm që ndikon në emocionet e individëve të prekur, por gjithashtu rrit tensionet ndërmjet komuniteteve dhe kontribuon në krijimin e një klime të padurueshme të urrejtjes.
Pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nuk janë magjup. “Magjup” është një term pezhorativ, denigrues, nënçmues dhe përbuzës për t’i ofenduar pjesëtarët e këtyre tri komuniteteve, dhe pikërisht ky term tashmë këto komunitete i shoqëron çdo ditë, dhe vet media në rast të tilla e promovon një gjuhë te tillë të përdorur nga individë të caktuar. Përdorimi i gjuhës se urrejtjes nuk duhet të bëhet ndaj asnjë komuniteti a po individi. Respektimi i diversitetit dhe komunikimi në mënyrë të ndërgjegjshme është thelbësor për një shoqëri të qetë ku të gjithë janë të përfshirë. Duke qen se media ka një ndikim të madhë në këto përceptime, ajo ndonjëherë pa ose me dashje kontribuon në promovimin e gjuhës se urrejtjes, duke filluar nga pasqyrimi i jetës, duke promovuar dhe mesazhe të urrejtjes, forcon stereotipat negativ duke përdorur gjuhë diskriminuese ose duke transmetuar imazhe të përziera. Kjo mund të çojë në diskriminimin dhe përçarje të mëtejshme. Pasi media supozohet që të ketë rolin e informimit dhe edukimit ajo në të shumtën e rasteve mund të kontribuojë në edukimin e publikut dhe ndërgjegjësimin në lidhje me vlerat e diversitetit dhe tolerancës, duke promovuar dhe mekanizma të ndryshëm të cilët mundë të ndikojnë në zbutjen e gjuhës së urrejtjes. Rëndësia e rolit te media në raport me këtë fenomen është tejet e theksuar. Media supozohet të jetë e përgjegjshme dhe të ketë kujdes për mënyrën se si i trajton çështjet e komuniteteve rom, ashkali egjiptian.
Një analizë e thellë e kësaj problematike na çon tek pyetja: çfarë masash duhet të ndërmerren për të kundërshtuar këtë dukuri të dëmshme?
Monitorimi dhe regjistrimi i rasteve: Mediat dhe institucionet shtetërore gjithmonë duhet të ndërtojnë sisteme për monitorimin dhe raportimin e përdorimit të gjuhës së urrejtjes në media. Ky veprim do të ndihmojë në identifikimin e problematikave dhe krijimin e baza të dhënave për analiza më të thella, edhe pse tashme është veçse e krijuar platforma kundër diskriminimit.
Ndërtimi i kapaciteteve profesionale: Gazetarët dhe redaktorët duhet të trajtohen me programe të specializuara për ndërgjegjësimin mbi çështjet e diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj komuniteteve rom, ashkali egjiptian. Gazetarët gjithmonë duhet të kenë njohuri të mjaftueshme lidhur me identitetin e sicili komunitete në mënyrë që mos të krijohet huti tek pjesa tjetër e mazhorancës lidhur me kulturën dhe traditën e komuniteteve. Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së informacionit dhe në shmangien e gjuhës së urrejtjes.
Një bashkëpunim ndërkombëtar për kundërshtimin e përdorimit të gjuhës së urrejtjes në media mund të jetë efektiv. Organizatat ndërkombëtare dhe autoritetet qeveritare duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të luftuar këtë fenomen global.
Sensibilizimi i publikut: Komunitetet dhe organizatat joqeveritare duhet të jenë aktive në sensibilizimin e publikut në lidhje me pasojat e gjuhës së urrejtjes. Kampanjat a po fushata sensibilizuese edukative dhe dialogu ndërmjet komuniteteve janë thelbësore në këtë proces.
Mekanizmat ligjorë: Shtetet duhet të kujdesen për krijimin dhe zbatimin e ligjeve të fuqishme që penalizojnë përdorimin e gjuhës së urrejtjes në media. Ky mekanizëm mund të ndikojë në ndryshimin e sjelljes së medieve dhe individëve që përdorin gjuhën e urrejtjes.
Përdorimi i gjuhës së urrejtjes në media është një sfidë që kërkon përgjigje urgjente. Duke ndërmarrë masat e mësipërme, ne mund të ndihmojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe tolerante, ku çdo individ ndihet i respektuar dhe i mbrojtur nga inicimi i urrejtjes raciale.