Përfaqësuesi i BE-së: Kosova ka pasur progres të ngadaltë lidhur me pengesat në tregun e punës

Prishtinë | 15 Tet 2024 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Organizata joqeveritare Internews Kosova ka lansuar raportin “Diskriminimi sitematik në hapësira dhe punësim”, raporton Ekonomia Online. Ky raport është hartuar në kuadër të projektit “Luftimi i diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës në baza gjinore”, i cili është mbështetur nga Bashkimi Evropian. 

Raporti është produkt i monitorimit dhe hulumtimit gjashtëmujor me vizita direkte në 27 institucione publike, pesë komuna dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) me fokus qasjen e kategorive të margjinalizuara të shoqërisë në hapësira publike dhe respektimin e ligjit nga institucionet në fokus.

Përfaqësuesi i BE-së, Johannes Madsen, tha se shoqëria civile duhet të vazhdojë të kërkojë llogari nga institucionet për vetëdijesimin e qytetarëve lidhur me diskriminimin në hapësira dhe punësim. 

Madsen ka deklaruar se në Kosovë gjatë viti të fundit, ka pasur progres të ngadaltë lidhur me pengesat që përballen individët e caktuar dhe me diskriminimin që ata hasin në tregun e punës. 

Sipas tij, diskriminimi në punë, kërkon qasje të përkushtuar të qeverisë, bizneseve, shoqërisë civile dhe individëve të tjerë. 

“Ne parashohim një shoqëri ku pengesat do të rrënohen, ku punëdhënësit do përqafojnë diversitetin dhe ku institucionet do të bëjnë hapat të prekshëm dhe konkret për të siguruar qasje dhe aksesueshmëri për të gjithë”. 

Kryeredaktori i organizatës joqeveritare “Internews Kosova”, Kreshnik Gashi tha se të drejtat e e grupeve të margjinalizuara në shoqëri, respektohen minimalisht nga institucionet publike.

Sipas tij, të dhënat nga terreni që i ka nxjerra ky hulumtim, tregojnë për probleme serioze në trajtimin e kësaj dukurie. Sipas Gashit, bazuar në këto gjetje të raportit, punësimi i personave më aftësi të kufizuar është në standardin minimal. 

“Sot kemi shkelje drastike në nivel bazik të standardit të punësimit të personave me aftësi të kufizuara. Mostra është në 27 institucione, mostra na tregon se asnjëri prej institucioneve nuk zbaton standardin”.  

Ndërkaq autori i raportit, Valon Fana, i cili ka prezantuar gjetjet kryesore të hulumtimit gjashtë muajsh, të cilat sipas tij tregojnë se shumica e institucioneve në Kosovë, nuk zbatojnë kriterin ligjor  rreth punëismit të personave me aftësi të kufizuara dhe punësimit të grave. 

Përveç kësaj, në bazë të gjetjeve të raportit hulumtues, Fana tha se del që shumica e pozitave udhëhqëse insitucionale, drejtohen  nga burrat dhe se po ashtu institucione të ndryshme publike në Kosovë, nuk njohin as Konventat ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Njëra prej gjetjeve të tjera në këtë raport është edhe fakti se nuk ka as ankesa për diskriminim brenda institucioneve. 

“Shumica e institucioneve të monitoruara udhëhiqen nga burrat. Pra përfaqësimi gjinor në pozita udhëheqëse mungon. Në shumicën e vendeve ku kemi shkuar kemi parë që nga komunitetit janë numër i paktë i të punësuarve. Gjithashtu fëmijët vijojnë shumë pak mësimin”.

Ky raport është i dyti i këtij lloji që ofron rekomandime konkrete për zbatimin e politikave kundër diskriminimit në institucione.  Raportin e parë: “Diskriminimi sistematik në hapësira dhe punësim”, i cili është hartuar nga IKS dhe është publikuar në vitin 2023.

Të ngjashme