Përfaqësuesi i Francës në OKB kërkon themelimin e Asociacionit në bazë të draft-statutit evropian

Prishtinë | 30 Tet 2024 | 17:28 | Nga Ekonomia Online

Dharmadhikari ka thënë se Franca “dënon veprimet e shumta të një anshme të autoriteteve të Kosovës në Veri të saj, që ndikoi në jetën e komunitetit serb atje”

Jay Dharmadhikari, Zëvendës-Përfaqësuesi i Përhershëm i Francës në Kombet e Bashkuara, ka thënë se progresi i Kosovës për anëtarësim në institucione ndërkombëtare është i varur nga progresi në dialogun me Serbinë, derisa ka kërkuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në bazë të draft-statutit evropian.

Këto komente, Dharmadhikari i ka bërë në seancën e radhës e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku po shqyrtohet raporti i ri gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut në Kosovë.

“Franca thekson që progresi i Kosovës drejt institucioneve ndërkombëtare varet nga progresi në dialog. Pra, këto veprime të njëanshme duhet të zgjidhen në këtë mënyrë edhe me themelimin e Asociacionit në bazë të draft-statutit të BE-së”, tha Dharmadhikari.

Mungesa e progresit në këtë drejtim, sipas diplomatit francez “mbetet pengesë ndaj implementimit efektiv të të drejtave të pakicës serbe në Kosovë”.

“Është me rëndësi që të rivendoset demokracia përfaqësuese në Veri të Kosovës dhe të rivendoset pjesëmarrja aktive e serbëve në qeverisjen lokale dhe në sistemin gjyqësor…”, deklaroi ai, duke shtuar se Franca “dënon veprimet e shumta të një anshme të autoriteteve të Kosovës në Veri të saj, që ndikoi në jetën e komunitetit serb atje”.

“Kjo nxitin pa nevojë tensione”, pohoi.

Sa i përket sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, Dharmadhikari tha se ishte “një incident tragjik që është i papranueshëm” dhe përmendi faktin se përgjegjësit për këtë krim janë ende të lirë.

“Ata duhet të vihen para drejtësisë. Autoritetet serbe e dinë se cilat janë obligimet e tyre. Franca do të vazhdojë të përcjellë ngjarjet në këtë drejtim”.

Përveç këtyre, ai ripërsëriti se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është garanci për stabilitetin rajonal. “Është kusht thelbësor për perspektivën evropiane”.

“Franca mirëpret marrëveshjen e tregtisë së lirë në Evropën Qendrore dhe zhbllokimin e saj që është bërë midis dy vendeve…”.

Madje, ai pretendoi se autoritetet serbe kanë filluar ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit të vitit të kaluar.

“Edhe deklaratën e kryeministrit Vuçeviç më 9 tetor, që Serbia do të përkushtohet në përmbushje të të gjitha obligimeve të dialogut”, pohoi.

Ky progres, sipas tij, “është inkurajues, por nuk mjafton”, pasi që konsideron se “duhet të vazhdohet ashtu që Marrëveshja e lidhur para më shumë se një viti e gjysmë të implementohet. Është themelore që palët të përkushtohen drejt implementimit”.

Të ngjashme