Albin Tahiri ishte i vetmi skitar i Kosovës në lojërat olimpike dimërore “PyeongChang 2018”, që ishin të parat për vendin. Tahiri, 29-vjeçar, do të vazhdojë ta përfaqësojë Kosovën në gara të mëdha të skijimit alpin. Tani është duke u përgatitur për Kampionatin Botëror që prej 5 deri më 17 shkurt mbahet në Are të Suedisë.
Ka afro një dekadë që Tahiri garon për Kosovën. Garën e fundit e ka zhvilluar dhjetë muaj më parë, në mars të vitit të kaluar. Ai ka garuar në Slloveni, vend në të cilin edhe jeton. Ndërkohë në vendin të cilin e përfaqëson që nga 12 dhjetori i vitit 2009, në Kosovë, nuk ka garuar asnjëherë. Ka një shpjegim për këtë, shkruan sot Koha Ditore.
“Në garat e Kosovës ende nuk kam ardhur, pasi gjithnjë janë në kalendar në kulm të stinorit. Për fat të keq garat kosovare nuk janë gara të FIS-it dhe nuk merren pikë të FIS-it. Për këtë deri më tani vazhdimisht kam shkuar në garat ku fitohen pikë të FIS-it, pasi ato më duhen që të fitoj normën për Olimpiadë apo Kampionat Botëror. Më pas kur unë përfundoj me mbledhjen e pikëve të FIS-it, është thuajse marsi dhe shpesh ndodh që në Kosovë të mos ketë borë më. Kështu ka shkuar secili vit”, ka thënë Tahiri në një bisedë për gazetën.
Paraqitja e tij në PyeongChang kishte përcjellje të madhe mediale, për faktin se për Kosovën ishte Olimpiadë debutuese, ndërsa ndikoi edhe profesioni prej dentisti i Albinit. Rezultatet e tij ishin ato që priteshin – larg zonës së medaljeve. Garoi në shumë disiplina, ndërsa vendi i 34-t ishte më i larti për të.