Përfaqësuesi i lartë për Bosnjën e Hercegovinën, Christina Schmidt, ka paralajmëruar se ky shtet është në rrezik të menjëhershëm nga ndarja dhe se ekziston një perspektivë shumë reale për kthim në konflikt.
Në një raport për Kombet e Bashkuara, të parë nga gazeta britanike, “The Guardian”, Schmidt tha se nëse separatistët serbë i zbatojnë kërcënimet e tyre për ta krijuar ushtrinë e vet, do të nevojitet dërgimi i një numri më të madh të paqeruajtësve për ta parandaluar rrëshqitjen drejt një lufte të re.
Detyrat ndërkombëtare për ruajtjen e paqes në Bosnjë tash për tash janë përgjegjësi e një force të BE-së, që quhet Eufor dhe ka 700 pjesëtarë. NATO-ja gjithashtu ka një prani në Bosnjë me një zyrë qendrore në Sarajevë. Mandati i këtyre organeve pritet të zgjatet këtë javë në Këshillin e Sigurimit, por Rusia ka kërcënuar me bllokimin e një rezolute derisa të hiqen të gjitha referencat për përfaqësuesin e lartë, duke e minuar potencialisht autoritetin e Schmidt-it si mbikëqyrës i Marrëveshjes së Dejtonit.
Në raportin e tij të parë që nga marrja e postit në gusht, Schmidt, ish-ministër gjerman, paralajmëroi se Bosnja është duke u përballur me “kërcënimin më të madh për ekzistencë në periudhën e pasluftës”.
Përfaqësuesi i lartë tha se është e mundshme që të ketë përleshje mes agjencive kombëtare boshnjake të sundimit të ligjit me policinë serbe të Bosnjës.
“Nëse forcat e armatosura të Bosnjës e Hercegovinës ndahen në dy ose më shumë ushtri, niveli i pranisë ushtarake ndërkombëtare do të kërkonte rivlerësim. Mungesa e përgjigjes ndaj gjendjes së tanishme do ta rrezikonte (Marrëveshjen e Dejtonit) përderisa jostabiliteti në Bosnjë e Hercegovinë do të kishte implikime më të gjera rajonale. Perspektiva për përçarje e konflikt të mëtejmë është shumë reale”, thuhet në raportin e përfaqësuesit të lartë.
Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, ka kërcënuar me tërheqje nga institucionet e nivelit shtetëror, përfshirë ushtrinë kombëtare që është ndërtuar me ndihmën ndërkombëtare në 25-vjeçarin e fundit dhe rikthimin e forcave serbe.
Më 14 tetor, Dodiku tha se do ta detyrojë ushtrinë boshnjake që të tërhiqet nga Republika Serbe duke i rrethuar barakat e saj dhe nëse perëndimi do të përpiqej që të ndërhynte me forcë, ai ka “miq” që i kanë premtuar se do ta përkrahin kauzën serbe. Besohet se ai iu referua Serbisë e Rusisë.