Përfaqësuesi i Vetëvendosjes në Hagë

Prishtinë | 05 Sht 2023 | 11:33 | Nga Lirim Mehmetaj

“Sot nuk jam bash anëtar i LDK-së, jam i Vetëvendosjes, i Albin Kurtit se ka ardhë një njeri prej qiellit, ka ardhë një njeri shumë i zgjutë, shumë i mirë”, tha një nga dëshmitarët kundër ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.

Nuk është kurrfarë sekreti që UÇK-ja nuk është përqafuar nga një pjesë e madhe e shqiptarëve në Kosovë.

Me shumë gjasë përbën edhe rastin e parë në histori kur pas luftës në zgjedhjet e para në një vend të lirë nuk i fiton zgjedhjet forca që e ka mundësuar lirinë, por partia antagoniste e atij krahu.

Qysh është e mundur që ky lloj elektorati, antagonist me UÇK-në, fanatikë të dënimit të krerëve të UÇK-së, tash strehohen, e gjejnë vetën, prehjen shpirtërore, rahatinë ideologjike dhe pikëpamjen historike te Lëvizja Vetëvendosje, kur e njëjta ia atribuon vetës mbrojtjen e luftës së UÇK-së?

Kjo normalisht është paradoksale, apo jo?

E po nuk është, sepse mesazhi i Vetëvendosjes për ta ka qenë gjithmonë i qartë.

Vetëvendosje ka tentuar ta kriminalizojë secilin lider të UÇK-së, derisa e ka zhvilluar paralelisht një tregim abstrakt se është në mbrojtje të së njëjtës.

Por nënteksti për këtë lloj elektorati ishte që kushdo që ka udhëheqë me strukturat e UÇK-së është disi kriminel (përveç nëse je pjesë e VV-se e aty pastrohesh përkohësisht), prandaj UÇK-ja në fakt është kriminale.

Ju kujtohet këshilltari i Albin Kurtit, Shkëlzen Gashi, kur në emisionin Frontal, akoma pa filluar punën Gjykata Speciale, thoshte “krimet e kryera nga pjesëtarët e UÇK-së”. Pra nuk thoshte krimet që dyshohet/pretendohet/supozohet, por direkt fliste sikur të kishte aktvendim në dorë.

Albin Kurti, siç e dimë, pas presionit publik e liroi nga detyra, por asnjëherë duke thënë se nuk pajtohet me të.

Ministrja e Jashtme ka pranuar se ka dërguar dëshmi në Speciale, Ministrja e Drejtësisë i quante kriminelë, vetë Albin Kurti i quante kriminelë dhe i bënte përgjegjës për vrasje në kohë luftë.

Është shumë e rëndësishme të ceket gjithashtu që Vetëvendosje nuk ka votuar asnjëherë kundër themelimit të Gjykatës Speciale. S’ka marrë pjesë në votim, por jo votë kundër. Edhe ky është mesazh.

“Hashim shko”, është një tjetër mesazh.

Gjatë gjithë rrugëtimit mesazhe, derisa t’u piqen kushtet për ta thënë troç atë që faktikisht mendojnë për UÇK-në.

Vetëvendosje sot është Bota Sot e dikurshme, ndërsa ky dëshmitari që i ka ardhur Albin Kurti nga qielli, ky është përfaqësuesi i denjët i Vetëvendosjes dhe artikulues i saktë i qëndrimeve të partisë në pushtet.

Ky është përfaqësuesi i Vetëvendosjes në Gjykatë.

Të ngjashme