Përfaqësuesit e KPK-së vizitë zyrtare në Shqipëri, takohen me homologët e tyre flasin për sfidat

Prishtinë | 30 Qer 2023 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Me ftesë të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuesit e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës, në përbërje nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Zëvendëskryesuesi i KPK-së, Veton Shabani, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, anëtarët e Këshillit Prokurorial dhe Ushtruesja e Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, janë pritur sot në takim nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela dhe Kryetarja e Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, Pamela Qirko.​

Më këtë rast, përfaqësuesit e sistemit prokurorial nga bashkëbiseduesit janë njoftuar për së afërmi për strukturën, objektivat dhe angazhimet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe për procesin e punës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, qasjen reformuese dhe sfidat me të cilat ballafaqohet këto dy institucione.

Në këtë kontekst, me theks të veçantë është diskutuar për vlerësimin e prokurorëve dhe masat disiplinore për prokurorë, zhvillimin e aftësive organizative, veçanërisht në fushën e bërjes së politikave strategjike prokuroriale, mekanizmave koordinues, zhvillimin e karrierës së prokurorëve, përgjegjësinë e prokurorëve dhe llogaridhënien e tyre, si dhe për mënyrën dhe metodat që janë zbatuar gjatë procesit të vetingut të prokurorëve dhe vlerësimit dhe rivlerësimit kalimtar të tyre bazuar në legjislacionin vendas dhe ndërkombëtar.

Po ashtu është biseduar gjerësisht edhe për gjetjen e formave të intensifikimit të bashkëpunimit, duke shprehur gatishmërinë e dyanshme për vazhdimin e shkëmbimit të përvojave në shërbim të ngritjes së kapaciteteve profesionale të prokurorëve të të dyja vendeve, duke theksuan se mbeten të përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit në kuadrin e programeve dhe të reformave në mes sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës dhe sistemit prokurorial të Republikës së Shqipërisë, me anë të zbatimit të praktikave më të mira të përbashkëta lidhur me luftimin e krimit dhe veprave penale dhe proceseve reformuese, me qëllim që të arrihen rezultate pozitive dhe efikase.

Të ngjashme