Në vazhdën e takimeve, delegacioni i Kuvendit të Kosovës në APKE ka
zhvilluar takime të ndara edhe me krerët e grupeve politike: Frank
Schwabe, Grupi i Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve, .Davor
Stier, Partia Popullore Evropiane, Julian Bulai, Aleanca e Liberaleve dhe
Demokratëve të Evropës.
Në takimet me ta, anëtarët e delegacionit, kryesuar nga Nënkryetarja
Bogujevci, falënderuan krerët e grupeve politike për angazhimin dhe
mbështetjen e tyre të fuqishme në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në
Këshillin e Evropës.
Anëtarët e delegacionit po ashtu kërkuan që kjo mbështetje të vazhdojë edhe
me tutje, që Kosova sa më parë të jetë anëtare me të drejta të plota në këtë
organizatë multilaterale, nga e cila do të përfitojnë dy palët, edhe Kosova,
por edhe vet Këshilli i Evropës.
Po ashtu krerët e grupeve politike premtuan se angazhimi i tyre nuk do të
mungojë asnjëherë dhe se presin që sa me shpejt edhe Komiteti i Ministrave
të marrë për bazë raportin e Asamblesë dhe të marrë vendim që të ftojë
Kosovën të bëhet shteti i 47 anëtar i kësaj organizate.
Palët u pajtuan që me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës më së
shumti do të përfitojnë qytetarët e Kosovës, ku përveç tjerash do t’u jepet
mundësia t’i adresohen edhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut,
kurdo që ata mendojnë se të drejtat e tyre janë shkelur apo mohuar.