Përfaqësuesit e SBAShK-ut në takim me GP të VV-së, kërkojnë ngritje të koeficientit të pagave

Prishtinë | 04 Sht 2024 | 14:16 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës, ka takuar shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, raporton Ekonomia Online.

Në këtë takim është kërkuar të ngritët vlera e koeficientit të pagave për së paku 30 për qind dhe kjo të vlejë që nga muaji shtator i këtij viti dhe të realizohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kthimin e vlerës prej 0.5 % edhe për 15 vitet e para të përvojës së punës.

Komunikata e plotë:

Duke vazhduar realizimin e agjendës së takimeve me shefat e Grupeve parlamentare, kryetari i SBASHK-ut, z. Rrrahman Jasharaj, nënkryetarja, znj. Vjollca Shala e koordinatori për organizim të brendshëm z. Ymer Ymeri, janë takuar  në ambientet e parlamentit me shefen e Grupit parlamentar të VV-së, znj. Mimoza Kusari-Lila. Në këtë takim ishin edhe kryetari i Komisionit Parlamentar  për Arsim, z. Ardian Gola dhe deputetet, znj. Arjeta Rexhepi dhe znj. Arjeta Fejza.

Kryetari Jasharaj në fillim të këtij takimi ka treguar për kërkesat dhe detyrat konkrete që kanë dalë nga takimi i 30 gushtit me kryetarët e Kuvendeve komunale të sindikatave të universiteteve, duke shtuar se në kuadër të angazhimeve kanë dërguar kërkesë zyrtare Kryeministrit Kurti dhe ministres Nagavci, që në mënyrë urgjente të ngritet vlera e koeficientit të pagave për së paku 30 % dhe kjo të vlejë që nga muaji shtator i këtij viti dhe të realizohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kthimin e vlerës prej 0.5 % edhe për 15 vitet e para të përvojës së punës.

Pas kësaj koordinatori për organizim të brendshëm, z. Ymer Ymeri, e ka njoftuar shefen e Grupit parlamentar, znj. Kusari Lila edhe me angazhimet e bëra lidhur me përgatitjen e draftit të Kontratës Kolektive të Arsimit. Po ashtu, u diskutua edhe për nismën qytetare për mbledhjen e numrit të duhur të nënshkrimeve për t’ia drejtuar deputetëve që të bëhen përmirësime në ndryshimet e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, gjegjësisht që të kthehet pika 6 e nenit 8, e cila arsyeshëm ua njihte vitet e 90-ta si vite kontributpaguese, e po ashtu që si vite kontributdhënëse të njihet e tërë koha nga janari i vitit 1990 e deri në gushtin e vitit 2002, kur ka filluar të funksionojë Trusti Pensional. SBASHK ka kërkuar mbështetjen e deputetëve të VV-së që ta votojnë këtë kërkesë, e po ashtu të ndihmojnë për dialog e negociim me MASHTI-n lidhur me Kontratën Kolektive të Arsimit.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, ka kërkuar që çështja e iniciuar për Ligjin e Skemave Pensioanle të financuara nga shteti t’u dërgohet edhe me shkrim, duke u shprehur se do të angazhohen edhe për dialogun lidhur me Kontratën Kolektive të Arsimit. Në këtë takim është biseduar edhe për çështje të tjera në arsimin e Kosovës. Në këtë bashkëbisedë, kontribut kanë dhënë edhe deputetet znj. Arjeta Fejza, znj. Arjeta Rexhepi dhe deputeti Ardian Gola.

Të ngjashme