Përfaqësuesit e SBAShK-ut takohen me Bekim Jasharin, flasin për procesin mësimor

Prishtinë | 29 Tet 2020 | 15:14 | Nga Ekonomia Online

Për të parë nga afër gjendjen aktuale të institucioneve arsimore në tërë  Kosovën, përfaqësuesit e SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri dhe zyrtari ligjor Blendor Shatri e kanë nisur me agjendën e vizitave nëpër  komunat e  Kosovës. 

Vizitën e parë  e kanë bërë në komunën e Skenderajt dhe fillimisht kanë zhvilluar një bashkëbisedë me drejtorin e arsimit Bekim Latifi dhe kryetarin  nivelit komunal sindikal Ramiz Polaci për t’u informuar për gjendjen aktuale dhe rrjedhën e procesit mësimor  në institucionet arsimore këtu.

Ata pastaj bashkërisht  janë takuar me kryetarin e komunës së Skenderajt Bekim Jashari.

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka falënderuar kryetarin e Skenderajt për gjithë angazhimet në shërbim të arsimit dhe plotësimit të kërkesave  për punëtorët arsimor që dalin nga Kontrata Kolektive e Arsimit të Kosovës.

“Agjendën e vizitave nëpër komuna e kemi  nisur këtu për të shprehur respektin për përkushtimin e angazhimin e vazhdueshëm në shërbim të arsimit te drejtorit të DKA-së së Skenderajt Bekim Latifi, të kryetarit të nivelit sindikal komunal Ramiz Polaci, por për të shprehur respekt meritor edhe për ju”, është shprehur në fillim të takimit  me kryetarin Bekim Jashari, kryetari i SBASHK-ut duke shtuar se po ndjehen krenar që po takohen e po bashkëbisedojnë lirshëm me një pjesëtar të familjes emblemë për gjithë shqiptarët.

Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari  ka shprehur respekt për angazhimet e SBASHK-ut dhe ka vlerësuar lart edhe bashkëpunimin  në shërbim të arsimit te nivelit komunal të SBASHK-ut me DKA-në dhe me institucionet tjera në këtë komunë.  Ai pastaj ka shtuar se do të vazhdohet me angazhimet dhe bashkëpunimin.

Në kuadër të kësaj bashkëbisede është vlerësuar se në Skenderaj është gjendje stabile edhe në procesin mësimor dhe sepse për momentin edhe në kuadër të popullatës ka  pak raste të prekjes me Covid dhe kjo ka bërë që  edhe në institucionet arsimore gjendja të jetë  e mirë dhe se procesi mësimor është duke u zhvilluar si duhet falë përkushtimit të punëtorëve arsimor dhe nxënësve e prindërve që janë duke dhënë kontributin e tyre që gjendja të jetë e tillë.

Përfaqësuesit e SBASHK-ut bashkë me drejtorin e  DKA-së dhe kryetarin e  nivelit komunal sindikal  kanë vizituar shkollën, që mban me krenari emrin e mësuesit dhe heroit të kombit Shaban Jashari  dhe kanë parë nga afër  se nxënësit dhe punëtorët arsimor këtu  me punë e përkushtim e dëshmojnë krenarinë që shkolla e tyre mban emrin e kësaj figure të shquar të kombit tonë. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme