Organizatat Unioni Demokratik Studentor, Unioni i Studentëve Proeuropian, Opinioni i Pavarur Studentor dhe Paqja Studentore (UDS-USPE-OPS-PS), kanë kërkuar edhe zyrtarisht nga Ministria e Arsimit që të shpallë zgjedhjet e përgjithshme në Universitetin e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Festim Dasholli nga Organizata Unioni Demokratik Studentor, tha se po kërkojnë që të shpallen zgjedhjet e përgjithshme pas zhvillimeve në UP.
Sipas tij, është i domosdoshëm intervenimi i ministres për të mos lejuar politizimin e Universitetit nga grupe të interesit.
“Ne i jemi drejtuar me kërkesë ministres së Arsimit Arbërie Nagavcit për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme në Universitetin e Prishtinës. Si shkas për këtë kërkesë janë zhvillimet e fundit që nga ndodhur në UP”.
“…fillimisht neve na është mohuar e drejta e votimit në Senat, ku është shkelur edhe nenin 44 i Statutit të UP-së ku kanë hyrë për të votuar senatorët rijnë e që realisht mandati i tyre fillon me 1 tetor. Kjo përbërje e Këshillit Drejtues është së pari e jashtëligjshme dhe nuk është e dëshirueshme dhe nuk e përfaqëson Universitetin”.
“Ne nuk e njohim atë Këshill Drejtues se është zgjedhur në mënyrë të jashtëligjshme. Presim që ministrja të reflektojë dhe të shpallë zgjedhjet që ta shpëtojë UP nga politizimi dhe grupet e interesit”.