Përfaqësuesja e Kosovës U13 kthehet nga kampionati evropian i Pingpongut

Prishtinë | 28 Maj 2024 | 09:27 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Kosovës U13 në Pingpong, është kthyer nga kampionati Evropian i Pingpongut që këtë vit është mbajtur në Bukuresht të Rumanisë, raporton Ekonomia Online.

Në këtë kampionat, i cili është i dyti me radhë, Kosova nuk arriti ndonjë sukses, pasi u rëndit e fundit në grup, duke u mposhtur nga Franca, Spanja dhe Italia.

“Në fazën e parë, ekipi ynë ka garuar në konkurrencën ekipore në grupin F me Francën, Spanjën dhe Italinë, ku i humbën të tria ndeshjet me rezultatin 5:0. Në fazën e dytë garuan për pozicionet 17-29 në grupin 7 me Kroacinë, Anglinë dhe Slloveninë. Ndeshjet ndaj Anglisë dhe Sllovenisë i kemi humbur me 5:0, kurse ndaj Kroacisë me 4:1. Në ndeshjen ndaj Kroacisë, Olti Behluli, ka arritur një fitore”.

“Në konkurrencën ekipore Kampione ka dalë Gjermania, pasi ka fituar në finale ndaj Spanjës me 3:0. Në konkurrencën individuale, lojtarët tanë nuk kanë arritur të kalojnë fazën e grupeve, por vlen të përmendet fitorja e Olti Behlulit, ndaj lojtarit të Malit të Zi”, thuhet në njoftimin e komisionit të garave të Federatës së Pingpongut.

Kosova në këtë kampionat është përfaqësuar, Olti Behluli, Muhammet Mudut, Resul Smaili, Vlera Beqa, Sara Hoxha, dy trajnerët Ardian Lamaxhema dhe Sadri Abazi, si dhe udhëheqësi i delegacionit Remzi Shala.

Kampionati Evropian për U13 vjeç, filloi si një ngjarje eksperimentale në vitin 2022 në Podgoricë të Malit të Zi, pastaj vitin e kaluar, Kampionati u mbajt për herë të parë në Zagreb, kurse ky në Bukuresht ishte Kampionati i dytë me radhë.

Të ngjashme