Zyrtarët e lartë të shtetit nuk kanë rreshtur së kërkuari shuarjen e UNMIK-ut.
Por asnjëherë që nga shpallja e pavarësisë e këndej, nuk u ka penguar fakti që përfitojnë materialisht duke u mbështetur në një dokument që mban logon e këtij misioni, shkruan AktivPress.
Secili zyrtar që është i angazhuar në institucionet publike, meditjet i merr sipas Udhëzimit Administrativ 2004/07 për udhëtimet zyrtare, i cili është nënshkruar në vitin 2004 nga Jakup Krasniqi, asokohe ministër i Shërbimeve Publike.
Gjithçka ka ndryshuar prej asaj kohe, edhe emri i ministrisë, edhe misioni i UNMIK-ut, edhe statusi i Kosovës, vetëm udhëzimi ka mbetur i paprekur.
Bazuar në këtë dokument, Ministria e Financave ka përpiluar një tabel me tarifa të meditjeve për shtetet veç e veç.
Në të janë të ndara në përqindje shpenzimet që parashihen për fjetje, shpenzimet për ushqim dhe meditja në vlerë prej 20% e shumës së përgjithshme të parave që ndahen për ditë.
Ajo që vërehet në këtë tabelë është se Shqipëria është lënë si një vend ku mundësia e përfitimit nga meditjet të jetë më e madhe.
Kjo për faktin se shuma e para që ndahet për meditje ditore në këtë vend është 206 euro.
37 % e kësaj shume dedikohet për ushqim, që i bie mbi 75 euro.
Këto 75 euro, zyrtari nuk ka nevojë t’i kthej në arkën e shtetit edhe nëse nuk i ka shpenzuar.
Përjashtim bëjnë rastet kur shpenzimet hiqen nga ndonjë organizator i jashtëm.
Atëherë, nëpunësit e shtetit e marrin vetëm 20% të meditjes.
Për këtë shkak, edhe vizitat e zyrtarëve dhe nëpunësve të shtetit janë më të shpeshta në Shqipëri.
Se Udhëzimit Administrativ 2004/07 i kohës së UNMIK-ut është ende i zbatueshëm është konfirmuar në Minsitrinë e Administratës Publike.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Zeqir Bekolli ka deklaruar për AktivPress se Udhëzimi për udhëtimet zyrtare është ai që ka qenë edhe më përpara dhe nuk ka pësuar ndonjë ndryshim.
“Udhëzimi azministrativ është në faqën zyrtare”, ka thënë ai.
Ndërkohë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shprehur mëdyshje nëse ky dokument ende e mban logon e UNMIK-ut.(AktivPress)