Kontratat me sponsorët janë kthyer në një burim të mirë të ardhurash për futbollistët.
Kjo ka ndodhur edhe me Neymarin dhe kontratën e nënshkruar me kompaninë amerikane të veshjeve sportive, Nike për periudhën 2011-2022.
Portali “UOL Esporte” zbulon detajet e kësaj kontrate, sipas së cilës shifra e përfituar nga 26-vjeçari është përcaktuar nga një sërë faktorësh dhe objektivash.
Faktori kryesor që përcakton shifrën e përfitimit të Neymarit nga kontrata me Nike është kategoria e ekipit ku militon ai. Kontrata i ndan klubet në 4 kategori A,B,C dhe D. Nëse Neymari luan në ekip të kategorisë A atëherë ai përfiton 811.310 Euro.
Nëse ai është pjesë e një klubi të Kategorisë B merr 50% të kësaj shifre, në rast aktivizimi në klub të kategorisë C vlera e përfitimit të tij është sa 1/4 e shumës së kategorisë A. Ai nuk përfiton asgjë nëse është pjesë e një klubi të kategorisë D.
Në aspektin individual, nëse fiton Kupën e Botës, Neymar do përfitojë 40 565 Euro, ndërsa si finalist siguron 24 339 Euro, raporton TCH.
Nëse shpallet golashënuesi ose lojtari më i mirë i Botërorit, atëherë Neymar do të fitojë 162 262 Euro për secilën prej këtyre 2 objektivave. E njëjta gjë ndodh me Lojërat Olimpike, Neymar merr 16 226 Euro për medaljen e artë, 81 131 Euro si golashënuesi më i mirë dhe 121 696 si lojtari më i mirë.
Por trofeu që do t’i mundësojë atij më shumë të ardhura është ‘Topi i Artë’. Nëse braziliani do ta fitojë atë do të sigurojë 811.310 Euro. Kjo shifër do të shkojë në 3.245.240 Euro nëse e bën të tijin këtë trofe 4 herë.
Neymari ishte duke shkëlqyer për PSG-në deri në momentin e dëmtimit ditë më parë, dëmtim ky që mund ta lërë jashtë fushave për pjesën e mbetur të sezonit, ndërsa raportohet se rrezikon edhe Botërorin.
Braziliani lëndoi kyçin e këmbës së djathtë dhe nuk do të paraqitet të martën kundër Real Madridit në Champions League.
Ai ndodhet në Brazil për t’u operuar dhe do të vazhdojë me procesin e rikuperimit.