Në kuadër të ditëve të mbajtjes së Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Prizren, EC Ma Ndryshe dhe Autostrada Biennale kanë organizuar performancën publike për shfrytëzimin e sipërfaqes gjelbëruese dhe lumit brenda shtratit të Lumbardhit.
Përmes këtij aktiviteti synohet që të sillet në vëmendje çështja e mungesës së hapësirave gjelbëruese dhe numri i madh i hapësirave të pashfrytëzuara publike në Prizren, me qëllim të nxitjes së autoriteteve përgjegjëse lokale e qendrore për ndërmarrjen e veprimeve të duhura në këtë drejtim.
Kjo hapësirë, në kuadër të këtij aktiviteti, do të shfrytëzohet si vendtakim për vizitorët e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, me ç’rast ata do të mund ta përjetojnë nga afër lumin dhe hapësirat natyrale të gjelbërimit.
Në kuadër të performancës në Lumbardh, më saktësisht te “Gjashtë krojet” janë punuar shkallët që mundësojnë zbritjen në lum dhe shtigjet lidhëse për lëvizjen nëpër hapësirat gjelbëruese brenda shtratit të lumit.
Në një analizë të bërë nga EC-i del se në hapësirat publike brenda Qendrës Historike të Prizrenit vetëm 3 % të tyre janë të gjelbëruara.