Rreth orës 4 të mëngjesit zjarri ka përfshirë një nga dhomat e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Lajmi është bërë i ditur nga vet Spitali.
Sipas njoftimit zyrtar, zjarri ka rënë në katin e katërt, si pasojë e një defekti në sistemin elektrik.
“Mbrëmë rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm ka pasur një zjarr në katin e IV-të, të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Pjesëtarët e sigurimit kanë intervenuar menjëherë në shuarjen e zjarrit dhe po ashtu janë njoftuar Policia dhe Zjarrfikësit. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e një defekti në sistemin elektrik. Me intervenimin e shpejtë është ndalur përhapja e zjarrit, por një dhomë ku kanë qenë pajisjet e Teknologjisë Informative është djegur dhe tani jemi në proces të konstatimit të dëmit”, bën të ditur Spitali i Pejës.
Tutje në njoftim thuhet se shërbimet ndaj pacientëve kanë vazhduar dhe po vazhdojnë të jepen si gjithnjë dhe puna po vazhdon normalisht.
“Sa i përket data bazës dhe të dhënave tjera të gjitha janë të ruajtura ngase janë të lidhura me sisteme tjera informative dhe asnjë e dhënë apo data bazë nuk është humbur. Shërbimet ndaj pacientëve kanë vazhduar dhe po vazhdojnë të jepen si gjithnjë dhe puna po vazhdon normalisht, ndërsa ekipet e shërbimeve teknike janë duke u marrë me pastrimin dhe riparimet e nevojshme në dhomën e djegur dhe ambientet tjera të katit të IV të bllokut Kirurgjik”, thuhet në njoftim.