Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLSP) ka mbajtur tryezën e Diskutimit me temë “Dialogu Kosovë-Serbi nën dritën e Takimit në Berlin”, raporton Ekonomia Online.
Kjo tryezë diskutimi sipas përfaqësuesve të GLPS-së, ka për qëllim të diskutojë kahen dhe pritshmërinë nga dialogu Kosovë-Serbi pas takimeve në kuadër të samitit Franko-Gjerman në Berlin.
Përparim Kryeziu nga GLPS-ja tha se me ftesën e Francës dhe Gjermanisë për krerët e lartë të shteti të Kosovës dhe Serbisë, duket qartazi që këto dy shtetet kanë filluar të zotërojnë procesin e dialogut.
“Studimi shpreh drojën dhe poashtu edhe skepticizmin se duke u bazuar në këto rrethana një marrëveshje përfundimtare mund të arrihet në një ta ardhme të afërt. Vërejmë qartazi që gjermania dhe Franca kanë filluar ta zotërojnë procesin e dialogut dhe vërejtje qartë që Gjermania ka një përqendrim të qartë ndaj idesë për përcaktim të kufijve”.
Kryeziu shton se përkufizimi i procesit të dialogut ka filluar të marrë një formë të re.
“Ndonëse në këtë samit nuk është bërë i qartë përkufizimi i procesit të dialogut ai ka filluar të marrë një formë të re. Deklarata e Haradinajt gjatë takimit në Berlin që thotë se njohja duhet të jetë pikë fillestare e dialogut dhe jo pikë përfundimtare por platforma për dialogut nuk e reflekton këtë qëllim. Zgjerimi i BE-së nëpërmjet Ballkanit Perëndimor vazhdon të ketë një aspiratë e largët”.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti tha se rolin më negativ në procesin e dialogut e ka luajtur presidenti Hashim Thaçi.
“Duhet ta vlerësojmë rolin e Gjermanisë dhe Francës në këtë proces sepse ndoshta po fillojmë një momentum të ri të këtij procesi. Besoj që rrethanat aktuale në Kosovë pamundëson një dialog substancial dhe duke qenë që jemi në fazën finale besoj që Kosova duhet të jetë më përgatitur. Rolin më negativ në këtë proces e ka luajtur presidenti i vendit. Dëmet nga promovimi i idesë së korrigjimit të kufijve ka krijuar pasiguri sociale dhe ekonomike”.
Sipas Hotit marrëveshja me Serbinë nuk është aq jetike. Ai shton se së pari Kosova duhet të sigurohet se arritja e marrëveshjes nuk e cenon integritetin territorial të vendit.
“Ne jemi të interesuar të kemi marrëveshje me Serbinë por nuk është jetike të kemi marrëveshje me Serbinë. Duhet të sigurohemi që marrëveshja përfundimtare nuk e cenon integritetin territorial të Kosovës. Ky samit ishte një mundësi e mirë të sigurohej një dinamikë e re e procesit të dialogut. Përfaqësimi i Kosovës në këtë samit nuk ishte adekuat pasi nuk ishte as unik e as dinjitoz”.
“Nuk besoj që duhet presim mrekulli nga ky samit, por ajo që është e dijshme është që Kosova nuk i ka nxjerrë përfitimet e saj të nevojshme. Dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri e përgjegjshme dhe legjitime dhe që flet në emër të shumicës dërrmuese të shqiptarëve të Kosovës”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se ka kohë që Kosovës nuk i ka ndodhë të shkojë me dy qëndrime të kundërta në një takim të një formati të lartë.
“Kosovës moti nuk i ka ndodhë që me u përfaqësuar në formate kaq të larta me dy qëndrime shumë të ndryshme qa kanë të bëjnë me çështjet jetike të Kosovës. Presidenti ka hapur projekte të reja që i ka vendosur pikëpyetje shtetësisë tonë”.
“Mu dukë që Merkeli ishte i pakënaqur me presidentin tonë ndërsa Macroni ishte i pakënaqur me kryeministrin, ndërsa presidenti ishte i pakënaqur me të dy këta e kryeministri duket se në Berlin kishte shkuar vetëm për vizë.”
Konjufca shton se Samiti i Berlinit i ka dhënë një mesazh negativ perspektivës së zgjerimit.
“Samiti ka dhënë një mesazh negativ sa i përket perspektivave të zgjerimit. Gjendja politike në Kosovë është e paqëndrueshme dhe pas mesazheve të samitit të Berlinit, Kosova nuk e di se çfarë plani ka nëse nuk ka zgjedhje të reja”.
Kurse sipas Shefit të Grupit parlamentar të Nisma-së, Bilall Sherifit, ideja për korrigjim kufijsh nuk kishte ardhur si ide e presidentit Hashim Thaçi.
Sherifi shton se kjo është një ide e vjetër e cila ka ardhur nga fronti serb, raporton EO.
“Ajo që kishim pritje është që ky samit i Berlinit do mbyllte disa çështje që ne nuk i kishim mbyllur pra të presim nga të tjerët të na mbyllin pra është fjala për ide të korrigjimit të kufijve që kolegët deputetë po thonë që kjo është ide e Hashim Thaçit, por kjo nuk është ide e tij”.
“Këto çështje nuk mundet me i zgjidhë as Berlini e as Parisi. Shkëmbimi dhe korrigjimi janë instrument dhe edhe kjo është një ide e vjetër nga fronti i Serbisë. Platforma e dialogut nuk është Bibël as Kuran dhe mund të ndryshohet”.
Deputeti nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri tha se qëllim i krijimit të delegacionit shtetëror ka qenë t’i mbledhë forcat politike bashkë, por që nuk është arritur ky qëllim.
Sipas Ymerit ky është një dëm i madh për Kosovës si për vetë procesin e dialogut.
“Mendoj që duhet ta konstatojë një gjë që nuk është e re ideja e korrigjimit të kufijve. Ne si PSD ka kohë të gjatë që jemi përcaktuar për konsensus dhe mendimi ynë ka qenë që kjo arrihet përmes bartjes që kjo arrihet përmes bartjes së procesit të dialogut në Kuvend që nga fillimi i tij. Qëllimi i delegacionit shtetëror ka qenë që ti mbledhë të gjitha forcat politike bashkë dhe nuk i ka mbledhë ato bashkë dhe ky ka qenë një dëm i madh që i është bërë Kosovës”.
Ymeri u shpreh se përfshirja e Francës dhe Gjermanisë në procesin e dialogut është një plus i madh.
Sipas tij, me këto përfshirje po krijohet një momentum i ri i cili mund të jetë një mundësi e mirë.
“Samiti paraqet një rëndësi që tashmë e kemi të përfshirë edhe Francën edhe Gjermaninë shumë më shumë të përfshirë në dialogun me Serbinë. Çfarëdo marrëveshje dhe çfarëdo mundësie është e kushtëzuar nga prania dhe vullneti që vijën nga dy boshte të politikës ndërkombëtare dhe interesimin e ShBA-së e kemi pa shumë më herët përmes letrave të presidentit Trump dhe në këtë drejtim unë po mendoj që është duke u krijuar një momentum i ri i cili mund të jetë një mundësi e mirë për vendin tonë”.