Rinovimi i stadiumit të qytetit të Prishtinës nisi në qershor të vitit 2016, dhe sipas kontratës, ai duhej të kryhej në gusht të vitit 2017.
Pasi nuk u krye në këtë kohë, u dha afat tjetër se do të kryhet në pranverën e hershme të 2018-s. E pranvera ka nisur më 20 mars. Dhe si afat i fundit për përfundimin e stadiumit tashmë ka dalë qershori, muaj kur përfundon pranvera e nis vera, shkruan sot Koha Ditore.
Zyrtarë të DS-së, të martën kanë konfirmuar për gazetën se stadiumi pritet të jetë gati në qershor, por nuk është dhënë një datë e saktë.
“Afati kohor i përcaktuar nga UEFA dhe nga Federata e Futbollit e Kosovës është që stadiumi i qytetit të jetë i gatshëm për zhvillimin e ndeshjes së Kombëtares A nga qershori, ku edhe përcaktohet lokacioni për gara kualifikuese ‘Euro 2020’. Realizimi i punimeve është në pajtueshmëri me planin dinamik të punimeve me kontratë”, thuhet në përgjigjet e dhëna për gazetën të martën nga Divizioni për Komunikim Publik i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Por një vizitë e thjeshtë e gazetës nga jashtë lë të kuptohet se në stadium kanë ngelur edhe shumë punë për t’u bërë.