Përfundon bashkëpunimi i gjimnastes Bora Hoti me klubin e gjimnastikës “Elita”

Prishtinë | 10 Qer 2026 | 14:48 | Nga Ekonomia Online

Pas një rrugëtimi tetëvjeçar në gjimnastikë, sportistja e re Bora Hoti nuk është më pjesë e klubit ku zhvilloi karrierën e saj sportive. Sipas një njoftimi të familjes së saj, vendimi për ndërprerjen e bashkëpunimit është marrë nga trajnerët pas zhvillimeve që lidhen me ceremoninë “Laureatët 2025”, e mbajtur më 3 shkurt 2026.

Familja e sportistes pretendon se Bora Hoti, e shpallur “Top Sportiste 2025”, ishte informuar se do të përfitonte një shpërblim financiar prej 400 eurosh, por gjatë ceremonisë kishte marrë vetëm 200 euro. Sipas tyre, pas kërkesave për sqarime lidhur me këtë çështje, nuk pati zgjidhje të kënaqshme, ndërsa më vonë trajnerët vendosën ta ndërpresin bashkëpunimin me sportisten përmes një mesazhi telefonik.

Prindërit e Borës thonë se kanë qenë të përfshirë dhe mbështetës të vazhdueshëm të karrierës së saj sportive, duke e shoqëruar në stërvitje dhe gara gjatë viteve. Ata theksojnë se reagimi i tyre nuk kishte të bënte vetëm me aspektin financiar, por me parimet e transparencës dhe meritokracisë në sport.

Pas ngjarjeve, familja ka paraqitur ankesë zyrtare në Federatën e Gjimnastikës të Kosovës (FGJK). Sipas tyre, përgjigjja e federatës e ka trajtuar çështjen si një kompromis personal dhe jo si njohje të meritave sportive të Borës.

Familja konsideron se ndërprerja e bashkëpunimit me një sportiste 15-vjeçare, e cila për vite me radhë ka përfaqësuar Kosovën në gara vendore dhe ndërkombëtare, ngre shqetësime për mënyrën e trajtimit të sportistëve të rinj dhe për qeverisjen sportive në vend.

Bora Hoti vazhdon të jetë pjesë e programit “Shpresat Olimpike 2026”, ndërsa rezultatet e saj sportive për vitin 2025 janë të dokumentuara dhe të njohura nga institucionet përkatëse.

Pavarësisht zhvillimeve të fundit, familja thekson se Bora nuk ka hequr dorë nga gjimnastika dhe do të vazhdojë ta ndjekë ëndrrën e saj sportive, me synimin për të përfaqësuar Kosovën në të ardhmen.

Njoftimi plotë i familjes:

Dëshirojmë t’ju njoftojmë se pas një rrugëtimi tetëvjeçar të mbushur me përkushtim, sakrificë, lot,

lëndime, medalje, krenari dhe dashuri të pafund për gjimnastikën, bashkëpunimi i Bora Hotit me klubin dhe trajnerët e saj ka përfunduar. Ky vendim i njëanshëm erdhi nga trajnerët e saj, si pasojë e ngjarjeve të viteve të fundit, përfundimisht pas ceremonisë “Laureatët 2025”, të mbajtur më 3 shkurt 2026.

Për transparencë, po sqarojmë kronologjinë e ngjarjeve:

Borës i ishte komunikuar se, si “Top Sportiste 2025”, i takonte një shpërblim financiar prej 400 Euro, por gjatë ceremonisë ajo pranoi 200 Euro, pa asnjë sqarim të qartë, miqësor apo zyrtar paraprak. Po atë natë kemi kërkuar menjëherë sqarime, por nuk pati mirëkuptim, me arsyetimin se MKRS kishte kërkuar zvogëlimin e shpenzimeve. Pas këtyre komunikimeve dhe kërkesës sonë legjitime për korrigjimin e kësaj padrejtësie dhe keqpërdorimi, trajnerët vendosën njëanshëm ta ndërpresin bashkë punimin me Borën përmes një mesazhi (SMS).

Si prindër, kemi qenë pranë saj në çdo stërvitje, në çdo garë, në çdo ngritje dhe rënie. Kemi parë nga afër sa shumë ka sakrifikuar një fëmijë për ta zhvilluar veten, klubin, gjimnastikën e Kosovës dhe përfaqësuar vendin e saj me dinjitet. Pikërisht për këtë arsye, heshtja përballë padrejtësisë nuk ishte më opsion për ne.

Prandaj, pas këtyre ngjarjeve, kemi bërë ankesë zyrtare drejtuar FGJK-së (me kryetar trajnerin e Borës), e cila nuk kishte si motiv aspektin financiar, por parimin e meritokracisë dhe transparencës.

FGJK-ja ktheu përgjigje duke e paraqitur korrigjimin e gabimit të qëllimshëm si “vullnet i mirë” transferim mjetesh nga trajnerja (e cila kishte marrë 500 euro shpërblim) – si formë kompromisi personal dhe jo si njohje meritore apo shpërblim për punën dhe sakrificën që Bora kishte bërë prej shumë vitesh.

Bora nuk u largua nga gjimnastika sepse u lodh. Përkundrazi – ajo vazhdon ta dojë këtë sport me gjithë zemër. Por është e dhimbshme kur një vajzë 15-vjeçare, që për tetë vite nuk kurseu asnjëherë mundin, përballjen me lëndimet, lodhjen dhe sakrificën, përballet me mbylljen e dyerve vetëm pse kërkoi të drejtën që i takonte si sportiste elitare dhe përfaqësuese me dinjitet e rezultate të larta për Kosovën në garat ndërkombëtare. Largimi erdhi sepse insistuam në transparencë dhe meritokraci.

Mungesa e trajtimit profesional ndaj një sportisteje 15-vjeçare e bëri të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit. Bora ishte e përkushtuar maksimalisht ndaj gjimnastikës — përfshirë edhe neve si familje, me gjithçka që kishim mundësi të ofronim. Rasti i Borës tregon se, pas kaq shumë vitesh mundi, sakrificash, ulje-ngritjesh, gëzimesh, lëndimesh, përfaqësimesh dhe pa asnjë mungesë në ushtrime, t’i mbyllet dera një sportisteje nuk është e drejtë, e lehtë dhe aspak njerëzore; aq më pak profesionale apo institucionale. Kjo tregon një gjendje të rëndë në qeverisjen sportive cila funksionon me buxhet nga taksat tona. Ky rast duhet t’i alarmojë institucionet përgjegjëse sportive të Kosovës.

Rezultatet e për 2025 janë të dokumentuara dhe të pranuara edhe nga MKRS-ja, ku Bora është përfituese e programit “Shpresat Olimpike 2026”.

Pavarësisht gjithçkaje, Bora Hoti do të vazhdojë ta ndjekë ëndrrën e saj në gjimnastikë. Ajo do të mbetet gjithmonë një përfaqësuese dinjitoze e Kosovës dhe një shembull i këmbënguljes, punës dhe dashurisë për sportin.

Të ngjashme