Përfundon dëshminë Naim Maloku në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Prishtinë | 26 Mar 2025 | 17:15 | Nga Ekonomia Online

Dëshmitari Naim Maloku ka përfunduar dëshminë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gjatë fundit të dëshmisë së tij, dëshmitari u mor në pyetje nga trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Fergal Gaynor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

I pyetur se kush është Esat Pashë Toptani, Maloku tha se nëse bëhet fjalë për atë, është një pashë që historia e njeh për faktin që është vrarë në Vjenë për tradhti.

Maloku u pyet se a kishte njësite të Policisë Ushtarake në Bellanicë, por ai tha se nuk kishte dijeni dhe se ky fshat ishte në kuadër të Brigadës 121.

“Jo nuk kam dijeni. Ishte në kuadër të Brigadës 121”, tha dëshmitari Naim Maloku.

Ai deklaroi se nuk ka dijeni se kush ishte komandant i Policisë Ushtarake në fillimin e tetorit të 1998 në Bellanicë. Tha se urdhrat për komandantët ka pasur mundësinë që t’i bënte shefi i Shtabit dhe jo Drejtoria Operative.

“Shefi i Shtabit ka mujt me dhanë urdha, shefi i Drejtorisë Operative ka mujt me u marrë me operacionet se çka po ndodhë në terren”, tha Maloku.

Megjithatë, dëshmitari shtoi se nuk ka parë urdhra të tillë nga shefi i Shtabit, me arsyetimin se ai nuk ka pasur qasje në ato informata.

Maloku u pyet se a ka pasur mundësinë që shefi i Shtabit të Përgjithshëm të japë urdhra edhe për sektorin e Zbulim-Kundërzbulimit.

“Nuk e besoj. Çfarë lidhje ka ZKZ-ja tash. ZKZ-ja është një sektor që mbledh informata, i analizon, vlerëson ato dhe ia përcjell shefit të Shtabit. Nuk ka aty njësi ose kompetenca tjera”, tha ai.

Ndërsa, për Fatmir Limajn, dëshmitari tha se është avancuar në dhjetor të 1998-ës si drejtor i Policisë Ushtarake në Shtabin e Përgjithshëm.

“Në dhjetor aty është vendos që Fatmir Limaj të jetë. Është avancu nga komandant Brigadës 121 në drejtor të Policisë Ushtarake dhe u vendos në një ndërtesë në një fshat Lladrovc”, tha ai.

Ndërsa, përgjigja e tij nuk u dëgjua kur u pyet se kush ishte drejtor i Drejtorisë së Zbulim-Kundërzbulimit.

Veç kësaj, gjyqtari Gaynor pyeti dëshmitarin se në kohën sa ishte këshilltar i Thaçit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, a kanë diskutuar lidhur me personat që ishin zhdukur pasi ishin ndaluar nga UÇK-ja gjatë luftës.

“Unë e kam pas të merrem vetëm me çështje rreth transformimit të UÇK-së në TMK”, tha ai, duke shtuar se nuk ishte edhe në kompetencën e Qeverisë të bënte diçka në këtë drejtim përveç thirrjeve dhe deklaratave publike.

Ai u pyet se a ka dëgjuar që ka pas ankesa nga të afërm të personave të zhdukur që ishin ndaluar nga UÇK-ja gjatë konfliktit.

“Ka pas nëpër gazeta edhe në shtyp por ata drejtoheshin në Policinë e UNMIK-ut dhe EULEX-it. Ishte sundimi i ligjit në Kosovë nga EULEX-i. Kosova nuk kishte asnjë kapacitet zyrtarë që guxonte të ndërmerrte diçka në atë drejtim. Ishte t’u u ndërtu Policia e ato”, tha ai.

Veç kësaj, ai u pyet se a ka shfaq interes Thaçi për këtë temë.

“Kërkonin nga sundimi i ligjit që të zbardhen rastet”, tha Maloku duke iu referuar krahut politik të Kosovës në atë kohë.

Pyetje shtesë për dëshmitarin nuk pati Prokuroria, por mbrojta e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq. Pas Mishetiqit, me pyetje vazhdoi avokati i Veselit, Rodney Dixon.

Të ngjashme