Është mbyllur dita e parë e gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për të cilët Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se kanë kryer krime lufte.
Më 4 prill, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të nisin deklaratat e tyre hapëse, në rastin që ka të bëjë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në fillim të gjykimit, ish-kreu i Ushtrisë i Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi para trupit gjykues se është plotësisht i pafajshëm.
Ai tha se e konfirmon deklarimin e tij të parë se është i pafajshëm.
Po ashtu edhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u deklaruan sërish të pafajshëm para trupit gjykues ku e konfirmuan deklarimin e seancës së parë, ku ishin deklaruar të pafajshëm.
Ndërsa Jakup Krasniqi, tha se është i pafajshëm dhe s’ka asnjë lidhje me akuzat që u lexuan.
“S’kam asnjë lidhje me pikat që i lexoi prokuroria para pak kohësh. Akuzën e kuptoj, por nuk pajtohem pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi me atë që e flet akuza. Jam plotësisht i pafajshëm”, ka thënë ai.
Prokuroria nisi deklaratën hyrëse duke argumentuar se gjatë gjykimit do të paraqesë prova që dëshmojnë se katër ish-krerët e UÇK-së kanë “personalisht përgjegjësi për krimet” që janë paraqitur në aktakuzë.
Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se ky rast nuk është “gjykim i UÇK-së”, por vetëm ndaj katër të pandehurve.
Sipas Prokurorisë së Specializuar, të katër të akuzuarit ishin udhëheqës të një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, dhe se qëllimi i kryerjes së krimeve ishte fitimi i pushtetit.
Sipas Prokurorisë, shumica e viktimave ishin shqiptarë, dhe katër të pandehurit kishin vënë në shënjestër persona që i konsideronin kundërshtarë të UÇK-së dhe bashkëpunëtorë të Serbisë.
Ndërkaq, mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se procesi gjyqësor, duhet të përqendrohet në atë që të zbulohet e vërteta dhe po ashtu është e rëndësishme “që të pranohet faji”.
“Ata kanë të drejtën që të zbulohet e vërteta, të dëgjohen dëshmi dhe të pranohen vuajtjet që kanë kaluar dhe përvojat që kanë kaluar”, tha ai.
Sipas tij, për viktimat shqiptare janë bërë përpjekje “që të turpëroheshin dhe të mos flisnin”, por sipas tij kjo nuk ka funksionuar.
Ndërkaq, viktimat serbe të këtij rasti, sipas Laws, nuk ishin subjekt “i të njëjtës trusni. Çmimi që u desh të paguanin ishte jeta në mërgim”, tha ai.
Mbrojtësi i viktimave po ashtu kërkoi që gjykimi të përqendrohet në pranimin “e dëmit” që u është shkaktuar viktimave.
Laws tha se për shumicën e viktimave, nisja e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte diçka “e paimagjinueshme”.