Sot ka përfunduar pilotimi i programit të parë kombëtar për trajtimin e kryerësve të dhunës në familje në një ceremoni në Qendrën Korrektuese në Dubravë.
Të pranishëm kanë qenë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, zëvendës shefi i Këshillit të Evropës, Tankut Soykan dhe personalitete të tjera.
Sipas Haxhiut, nëpërmjet 24 sesioneve gjatë 6 muajve është sfiduar mendësia dhe sjelljet abuzive të kryerësve të dhunës. Qëllimi i programit, sipas saj, është ballafaqimi me pasojat e veprimeve.
“Programi Kombëtar mbulon të gjitha format e dhunës ndaj grave, fizike, psikologjike, seksuale, ekonomike dhe dhunën në dimenzionin digjital. Pilotimi i programit u shoqërua me monitorim dhe vlerësim, për të matur efektivitetin në ndryshimin e qëndrimeve dhe sjelljeve të kryerësve të dhunës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.