Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka thënë se fuqizimi i Shërbimit Sprovues dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës, ndikon drejtpërsëdrejti në sundimin e ligjit në vendin tonë.
Këto komente ministrja Hoxha i bëri me rastin e përmbylljes së Projektit të Binjakëzimit të organizuar nga Ministria e Drejtësisë që kishte për qëllim fuqizimin e Shërbimit Sprovues dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Ajo tha se ky projekt do të ndikojë në fuqizimin e sistemit korrektues dhe njëkohësisht do të rrisë nivelin e sigurisë në burgjet e vendit.
“Po përmbyllim një projekt tejet të rëndësishëm që ndikon në sundimin e ligjit. Projekti i kontribuon rritjes së vetëdijes së të burgosurve, ndikon në rënien e kriminalitetit dhe zbatimin e vendimeve alternative. Luftimi me vendosmëri i krimit duke mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit, ne krijojmë bazën e sigurt të së ardhmes tonë”, ka thënë Hoxha.
Drejturesi i këtij projekti, Bajram Bujupi, tha se është bërë një analizë gjithëpërfshirëse e ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, ku është vlerësuar pozitivisht sistemi i ankimimit brenda shërbimit korrektues.
“Është bërë rishikimi i trajnimeve bazike për të dyja Agjensionet dhe tani po bëhen trajnimet për akademi për siguri publike në Vushtrri po zbatohen për stafin korrektues dhe stafin civil. Është konstatuar që sistemi i ankesave brenda shërbimit korrektues të Kosovës është jashtëzakonisht i kënaqshëm dhe i konsoliduar”, u shpreh Bujupi.
Ky projekt i Binjakëzimit është menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe i realizuar nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe i mbështetur nga Drejtësisa Franceze për Bashkëpunimin Ndërkombëtar si partner i dytë.