Çështjet e BE-së, ekonomia dhe politika në kuadër të agjendës së BE-së, zbatimi i MSA-së dhe marrëdhëniet BE-Kosovë në përgjithësi, kanë qenë në qendër të diskutimit të programit pesë-ditor interaktiv në kuadër të Shkollës Verore e mbajtur në UP dhe e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Bashkë me zyrën e BE-së pjesë e organizimit ishin edhe “Young Cell Scheme”, i financuar nga BE-ja dhe “European Young Cells Alumni” (EYKA) me mbështetjen akademike dhe logjistike të Universitetit të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Ezio Benedetti, organizator i kësaj ngjarjeje ka treguar se përgatitjet e studentëve kosovarë për integrime evropiane dhe për njohje të mëtutjeshme kanë qenë të mira.
Por u shpreh i zhgënjyer me interesim e studentëve për të marrë pjesë në këtë shkollë.
“Rregulli i parë ka qenë të mësojmë të rinjtë kosovarë për njohje të integrimeve evropiane. Unë mund ta quaj vetëm me fat sepse në grup kemi pasur studentë me të vërtetë shumë të mirë, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre, disa kanë qenë më të mirë në temat, disa kanë qenë më të interesuar për të dëgjuar leksionet. Ne do të bëjmë edhe organizime të tjera të Shkollës Verore ku kërkojmë të kemi më shumë studentë pjesëmarrës. Por jemi duke punuar që të ndërrojmë pak formatin, në mënyrë që të mos jetë i njëjtë çdo vit”, ka thënë Benedetti.
Studentja Lirie Palushi, e cila ndjek studimet postdiplomike të nivelit Master në programin Integrime Evropiane dhe Administratë Publike, ka cilësuar si shkollën verore më produktive që ka bërë deri më tani.
“Kjo është shkolla verore më produktive që kam bërë deri më tash. Kjo për shkak që ligjëratat kanë qenë shumë interaktive edhe ka pasur tema shumë të ndryshme që janë prekur si në aspektin politik, ekonomik dhe në atë social. Ka pasur student të fusha të ndryshme, që kanë qenë të interesuar me ditë për procesin e integrimit evropian pasi që ne thuajse çdo ditë në lajme dëgjojmë për këtë gjë”, ka thënë Palushja.
Shkolla Verore e BE-së është hapur më 3 korrik, ndërsa u mbyll sot më 7 korrik.