Përfundon takim në Bruksel, arrihet marrëveshja për të pagjeturit

Prishtinë | 17 Dhj 2024 | 18:18 | Nga Ekonomia Online

Ka përfunduar takimi trepalësh mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në Bruksel.

Takimi u zhvillua në kuadër të procesit të dialogut ndërmjet dy palëve dhe zgjati më shumë se dy orë.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se është arritur marrëveshja për çështjen e personave të pagjetur nga lufta e fundit.

“Ajo për çfarë ramë dakord është se ne kemi bërë hapin e fundit të nevojshëm për çështjen e personave të pagjetur, kështu që tani është hequr pengesa e fundit kur flasim për zbatimin e deklaratës për personat e pagjetur. Kjo do t’i japë mbështetje grupit të punës të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq,” tha Petkoviq, duke theksuar se për Serbinë, kjo çështje mbetet një “çështje humanitare dhe jo politike, e cila patjetër duhet të zgjidhet.”

Petkoviq gjithashtu nënvizoi rëndësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo është një nga çështjet më të rëndësishme për serbët në Kosovë dhe për Beogradin.

Takimi nisi me takime të ndara dypalëshe midis përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe shefit të delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, si dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

Më pas, takimi i përbashkët trepalësh filloi pas orës 15:00.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen për Kosovën dhe Serbinë që “pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin për zbatimin e saj, sikur edhe të gjitha obligimet tjera që kanë dalë nga procesi i dialogut.”

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka shprehur gatishmërinë për të angazhuar më shumë përpjekje në këtë proces./Telegrafi/

Të ngjashme