Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog ishin 3 kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Ndërmjetësi sllovak pas përfundimit të takimit me Kurtin ka thënë se është prezantuar propozimi prej tri pikave për të dalë nga situata.
“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Lajçaku, teksa shtoi se ky është vetëm fillimi.
“E para është shtensionimi, e dyta zgjedhje të shpejta në veri dhe e treta rikthimi në dialogun për normalizim”, ka thënë Lajçak.
“Misioni ynë vetëm sa ka nisur”.
Lajçak ka thënë se do të vazhdojë misionin me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për dy ditë. Do të ketë takime tjera në Kosovë, përfshirë me presidenten Vjosa Osmani, si dhe do të takohet edhe me krerët e Serbisë.
“Është në interes të Kosovës dhe të gjithëve që të kemi kryetarë legjitimë”, ka thënë Lajçak, që ka shtuar se në deklaratën e 27 shteve të BE-së është përmendur edhe sanksionimi i Kosovës.
“Mund t’ju them se shtetet anëtare po presin raportin tonë”, ka thënë Lajçak.
Ndërkohë, Escobar tha se ai erdhi në këtë takim, i cili zgjati mbi dy orë, si mik i Kosovës dhe tha se shpreson që kërkesat e tyre të dëgjohen.
“Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”, tha Escobar.
Takimi ishte paralajmëruar të niste në orën 20:00, mirëpo nisi më shumë se 30 minuta me vonesë, pasi Kurti ndodhej në stadium për të parë një ndeshje futbollistike.
Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së do të zhvillojnë takime me krerë të lartë shtetërorë në Prishtinë dhe Beograd edhe më 6 qershor.
Ata po vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin në tentim për të gjetur një zgjidhje për qetësimin e situatës në tri komuna në veri të Kosovës – Zvecan, Leposaviq dhe Zubtin Potok.
Në këto komuna, serbë lokalë po protestojnë prej 29 majit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – të cilët fituan zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.