Ka përfunduar takimi disaorësh mes palës ndërkombëtare dhe palës së subjekteve negociatore për koalicion LVV e LDK, raporton Ekonomia Online.
Edhe kësaj radhe të dy partitë nuk kanë arritur marrëveshje.
Pas takimi ka folur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i cili ka thënë se i informuan ambasadorët e QUINT-it në lidhje me përpjekjet për arritjen e marrëveshjes me VV-në.
Ai ka thënë se VV-ja duhet të pranojë kushtet e LDK-së, raporton Ekonomia Online.
“Ne biseduam me Lëvizjen Vetëvendosje për mundësinë e një koalicioni qeverisës. Informuam edhe ambasadorët QUINT-it, sepse ata kishin për qëllim me ardhjen e tyre vetëm sa të informohen jo të ndërmjetësojnë dhe të ndikojnë në procesin e marrëveshjes. Si Lidhje Demokratikë e Kosovës ne jemi të bindur se zgjidhja që e kemi ofruar është një zgjidhje, e cila i kontribuon marrëveshjes qeverisëse, e cila balancon mbi suazat e votës së qytetarëve dhe besimin e qytetarëve që e kemi marrë ne zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar dhe u shprehëm se mbesim të hapur nëse Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë i pranon kushtet tona për bashkëqeverisje. Ne jemi të gatshëm për të bërë marrëveshje dhe konsiderojmë se do të jetë një marrëveshje e cila i kontribuon vendit, i kontribuon luftës kundër korrupsionit, i kontribuon zhvillimit ekonomik, dhe i jep përgjigje qytetarëve në besimin që e kemi marrë”, ka thënë Mustafa pas takimit.
Ndërsa Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se as në takimin e së martës nuk është arritur marrëveshja për bashkëqeverisje me LDK-në.
Ajo ka thënë se kjo po ndodh për shkak të insistimit të partisë së Mustafës që “të kthehemi para datës 26 dhjetor kur u votua Glauk Konjufca kryeparlamentar”. Sipas saj, kjo mbetet e papranueshme për Vetëvendosjen.
“Do të doja që të thosha se marrëveshja është finalizuar, por s’mund ta them një gjë të tillë për faktin se LDK-ja po insiston në propozimin e saj të 8 janarit. Pas kësaj date ne kemi dhënë dy propozime të tjera por që u refuzuan nga LDK-ja, në këto takime që kemi pasur. Sot kemi pasur takim të gjatë edhe me përfaqësues të QUINT-it, por po ashtu kemi pasur pas takimit me QUINT-in edhe një takim mes neve si dy subjekte politike. S’ka marrëveshje pikërisht insistimit të LDK-së për kthim të para datës së 26 dhjetorit. Është e papranueshme për ne. E kemi njoftuar QUINT-in për qëndrimet tona. Kemi parë të arsyeshme t’i takojmë bashkërisht që t’u japim gjendjen e qartë ku kemi mbërri sot. S’mund të them se takimet kanë përfunduar sepse kemi një javë në dispozicion për të finalizuar marrëveshjen. S’mund të jap garanc se do të bëhet, por do të garantoj për përkushtimin e VV-së që të punojë në këtë drejtim”, ka thënë ajo duke shtuar se nuk shohin asnjë partner tjetër potencial, pos LDK-së.
“Është përmbysje e vullnetit të 75 deputetëve. Është tallje që t’i themi kryeparlamentarit të zgjedhur në mënyrë demokratike hiqu, që të jetë dikush i LDK-së për disa muaj, pastaj ai të hiqet e të vijë dikush tjetër. Kjo është tallje me vendin. Kemi para vetes shumë zgjidhje të tjera, por kjo s’mund të bëhet nëse s’ka vullnet nga LDK-ja”, ka shtuar Haxhiu.