Lajmi se grupi i mjekëve shqiptarë në Brescia ka festuar në hotel, është zbardhur sot nga një prej anëtarëve të stafit vullnetar. Doktori Orgest Haruni, duke folur ekskluzivisht për JavaNews, shprehet se nuk ka pasur asnjë festë me alkool, sikundër u tha në disa media italiane dhe shqiptare. Ai sqaron se në përfundim të misionit, grupi ka marrë përgjigjet e testeve ku ka rezultuar se askush nuk është infektuar gjatë shërbimit në Itali.
Kjo ka bërë që mjekët të gëzojnë së bashku, ashtu sikundër kanë qenë çdo ditë të punës së tyre. Haruni thotë për JavaNews se kanë gjetur një mbështetje të jashtëzakonshme nga mjekët dhe banorët e Brescias, teksa shton se tashmë është momenti të kthehen me kokën lart në Shqipëri.
Dr. Orgesti, si ishte eksperienca që përjetuat në Itali gjatë punës tuaj në spital? Fillimi ishte shumë i vështirë sepse kishte shumë pacientë të sëmurë rëndë. Unë isha në repartin e urgjencës dhe përballeshim direkt me pacientët në gjendje të rëndë. Por u përshtatëm shumë shpejt dhe kemi punuar me shumë përkushtim. Morëm vlerësime jo vetëm nga spitali, por kudo e ndjenim këtë vlerësim që na bëhej sepse po i vinim në ndihmë në një moment shumë të vështirë. Kemi punuar çdo ditë, në krah të kolegëve italianë dhe ndihem shumë krenar për punën që kam bërë jo vetëm unë, por i gjithë grupi i mjekëve dhe infermierëve në spitalin civil të Brescias. Kjo ndjenjë krenarie dhe vlerësimi që kishin për ne, padyshim mund të ngjallte edhe xhelozi, por unë dua të them se populli i Brescias dhe kolegët tanë na kanë pritur në mënyrë të jashtëzakonëshme.
Si ishte dita e fundit në spital? Emocionuese. Kur dolëm dua të them se përveç spitalit që na nderoi duke na përgëzuar për punën, ishin mbledhur një grup i madh qytetarësh para spitalit që na kanë duartrokitur. Kur mbajtëm flamujt shqiptar, italian dhe atë të regjionit të Lombardisë para spitalit, të gjithë së bashku, ishte shumë emocionuese.
Kur do të ktheheni? Së shpejti do të marrim avionin për t’u kthyer pranë familjeve. Është përfolur në media për një festë natën e fundit në hotel. Si qëndron e vërteta? Nuk ka patur festë, por një grup prej nesh prej 7-8 vetash, siç ishim çdo ditë bashkë që bënim rrugën për në spital, po ashtu edhe rrinim bashkë cdo ditë. Morëm përgjigjen e tamponëve që rezultuam të negativë dhe për ne dhe familjet tona ishte një gëzim i madh. Këtë sakrificë që bëmë në emër të popullit shqiptar për popullin mik italian me të cilën shumë prej nesh kanë lidhje të forta, në fund, rezultoi e suksesshme, sepse kemi ndihmuar në shpëtimin e jetëve, me këtë mision humanitar, por edhe ne jemi shëndosh e mirë dhe kthehemi të qetë në shtëpi, pranë familjeve tona. Kthehemi me kokën lart.
/JavaNews