“Përgjegjësia për të mbrojtur”, taksa 100% dhe vajtimi i Serbisë si “korrigjim kufijsh”

Prishtinë | 08 Jan 2019 | 11:17 | Nga Gurakuç Kuçi

Krizat e brendshme të shteteve, shkelja e të drejtave të njeriut brenda vetë shteteve dhe shfaqja e problemit të shteteve të dështuara, ka shtyrë shkencën dhe praktikën ndërkombëtare të rishikoj konceptet e qasjes ndaj sovranitetit të shteteve.

Një rast i tillë ishte intervenimi në Kosovë i NATO-së, intervenimi ndërkombëtar në Libi por jo edhe në Siri.

Shkelja e të drejtave të njeriut dhe krizat e brendshme të shteteve duke rrezikuar edhe fqinjët, por edhe problemi me diktatorët si Sllobodan Millosheviç, do shtynte të shqyrtoheshin parimi i sovranitetit dhe ai i mos-ndërhyrjes në punët e brendshme, si dy baza që janë kruciale që nga Paqja e Vestfalisë.

Rishqyrtimi i konceptit të sovranitetit të shteteve praktikisht do të fillonte të rishikohej që nga koha e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, BoutrosBoutros-Ghali me iniciativën “Agjenda për Paqe”.

Rasti i Bosnjës do shtynte përpara shumë shqyrtimin e sovranitetit dhe mos-ndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve, pasi këto dy koncepte nuk ofronin zgjidhje për dhunën brenda shteteve.

Andaj, me këtë precedencë, Organizata e Kombeve të Bashkuara kishte një objektiv të shtrirjes së asaj që quhej “paqja e qëndrueshme” dhe promovimi i “sigurisë njerëzore”.

Kjo agjendë e OKB-së, pas intervenimit të NATO-së në Kosovë do të përmblidhej dhe konceptohej edhe pse jo qartë në atë që do të quhej “Responsibility to Protect/R2P (Përgjegjësia për të mbrojtur)”, me publikimin nga Komisioni për Intervenimin dhe Sovranitetin Shtetëror. Ky komision pra bënte shtetet vetëm me përgjegjësi të sovranitetit negativ apo përgjegjësisë vetëm për të qeverisur. Me këtë edhe u vulos ideja e “ndërhyrjes humanitare”.

Kjo doktrinë do të inaugurohej vetëm në vitin 2005 nga Kombet e Bashkuar.

Kjo doktrinë post-moderniste pretendon se shteti është një subjekt, siç argumentonte MarkWeller, se shtetet nuk mund të thirren në autoritetin e tyre për të përdorur si justifikim cenimin e të drejtave dhe privilegjeve të qytetarëve të tij, nga të cilët përbëhet vetë shteti si autoritet politik.

Pra, me vënien e taksës 100% nga Qeveria e Kosovës ndaj importeve nga Serbia, kjo e fundit ka dhënë deklarata publike dhe në çdo takim me zyrtarët ndërkombëtarë fjali bazuar mbi doktrinën e “Përgjegjësisë për të Mbrojtur”.

Fjalitë e tyre ishin të tilla si: ‘ndërkombëtaret të intervenojnë në Kosovë’, ‘serbet atje kanë nevojë për ndihma humanitare ndërkombëtare’, ‘serbëve në Kosovë po iu shkelen të drejtat’, ‘serbëve po iu mohohet qasja në produkte elementare për jetesë dhe shëndetësi’, ‘ju lutemi ndërkombëtareve që të intervenojnë tek autoritetet e Prishtinës të heqin taksën (madje edhe shteteve veç e veç)’, dhe plot fraza të tilla vajtuese e intriga që gjithmonë e kanë qëllimin tek “Përgjegjësia për të Mbrojtur”.

Në publik asnjëherë kjo doktrinë nuk është përmendur nga Serbia, por që askush nuk na siguron që në takime me zyrtarë të shteteve dhe organizatave të ndryshme nuk e kanë bërë.

Serbia këtë doktrinë sigurisht që nuk mund ta përdorë publikisht, sepse në lindjen e saj ka ndikim edhe vetë ajo që ka shkelur të drejtat e njeriut.

Por, duke përvijuar realitetin e krijimit të kësaj doktrine, Serbia synon që ta përdorë atë tani kundër Kosovës dhe të ndryshoj realitetin dhe goditjen e papritur që i erdhi me taksën nga Kosova. Nga ky vajtim dhe në emër të kësaj doktrine, të përfitoj simpati dhe avancim ndërkombëtar, duke u treguar edhe kinse “konstruktiv” që Serbia nuk po vë taksë, dhe të ketë imazhin e mirë në shtyrjen përpara të interesave siçështë edhe ai me ndryshim territoresh i ashtuquajturi “korrigjim i kufijve”.

Një fat për Kosovën është se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikësështë e vazhdueshme dhe realiteti është i qartë. Megjithatë, BE-ja duke e përdorur Kosovën si trampolinë për mbajtjen në anije të Rusisë e bënë që edhe Serbia të përfitoj dhe legalizoj veprime në emër të “Responsibility toProtect”.

Fatkeqësia për Kosovën në këtë rast është që nuk ka fare diplomaci dhe diplomat, pra nuk ke as se çka të kritikosh e as çka tu kërkosh të bëjnë, sepse diplomacia e Kosovës është nul dhe gjithçka bëhet falë SHBA-së.

Proteksioni ynë prapë po mbetet SHBA-ja me aspak partneritet nga ndonjë diplomaci e Kosovës.

E ashtuquajtura diplomacia e Kosovës me arsyetimin se Serbia po vepron kundër Kosovës, është banal sepse nga një shtet armik nuk mund të presësh veprime të tjera, dhe mbulimi i dështimeve me arsyetime duke drejtuar gishtin nga Serbia është qyqarllëk.

Qeveria vepron si komplementare në çdo vend të botës, kur merret një vendim i caktuar, ai vendim është i varur edhe nga ministritë e tjera. Vendimi për taksën 100% ndaj importeve të Serbisë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, do duhej ta gjente mbrojtjen e saj në arenën ndërkombëtare nga Ministria e Punëve të Jashtme. Fatkeqësisht kjo e fundit sidomos tani ka marrë fund nga keqfunksionimi dhe vetëm dëm po i bënë Qeverisë, ministrive të tjera dhe Kosovës menaxhimi i tanishëm i MPJ-së, por aspak më mirë nuk kanë qenë as të kaluarit.

 

Të ngjashme