Një përkrahës i flaktë nga India i presidentit amerikan, Donald Trump, i quajtur Bussa Krishna, i cili e adhuronte kreun e Shtëpisë së Bardhë si një zot, ka vdekur nga sulmi në zemër.
Krishna, i cili e adhuronte Trumpin çdo ditë në vitet e fundit, ra në depresion që nga koha kur mësoi se presidenti amerikan dhe bashkëshortja e tij janë infektuar me koronavirus, shkruan Indianexpress.
Një i afërm i burrit të ndjerë tha se Krishna u zgjua në mëngjes si zakonisht, u pastrua dhe piu një çaj, ndërsa më pas u rrëzua në tokë. “Ai ra në depresion pasi dëgjoi se Trumpi është prekur nga koronavirusi. Ai nuk hante si duhet. Kur e dërguam shpejt në spital, mjekët e shpallën të vdekur. Shkaku i vdekjes është sulmi në zemër”, tha ky person.
Krishna së voni kishte publikuar disa video, ku shpesh shihej duke qarë dhe duke i dëshiruar familjes Trump shërim të shpejtë.
Përkrahja e pazakontë e indianit për presidentin Trump raportohet se filloi katër vjet më parë pasi ai e pa në ëndërr kreun e Shtëpisë së Bardhë. Një banor i fshatit Konne tha se Krishna fillimisht i lutej një fotografie të Trumpit.
Ky person e mbante një fotografi të Trumpit kudo që shkonte. Vitin e kaluar, burri 33-vjeçar vendosi të ndërtonte një statujë të Trumpit në shtëpinë ku jetonte. Dëshira e tij ishte që të takohej me presidentin amerikan kur ai e vizitoi Indinë këtë vit.