Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) ka prezantuar publikimin “Memorializimi, roli dhe rëndësia e tij në ballafaqimin me të kaluarën”, raporton Ekonomia Online.
Nga të pranishmit u tha se duhet të ketë një muze të luftës dhe i bazuar në fakte e i argumentuar mjaft mirë dhe se procesi i memorializimit është jetik për ballafaqimin me të kaluarën.
Me këtë rast u konstatua se memorializimi është një proces thelbësor për rikuperimin nga trauma dhe mizoritë e luftës..
Gjithashtu u kërkua që në Kosovë të bëhet përkujtimi grupor e jo individual, teksa u tha se procesi i përkujtimit të së kaluarës vazhdon të karakterizohet vetëm me ndërtimin e busteve, pllakave përkujtimore dhe emërime të rrugëve e shesheve.
“Burgu i Smrekonicës, ngjarjet e luftës në Lluzhanë, ngjarjet në xhaminë e Krushës së Madhe, dëbimi i popullsisë në kufirin me Shqipërinë, kemi përfshirë një gropë që janë varrosur njerëz në një pjesë ku ka qenë i dedikuar për mbeturina”, ishin disa nga narrativat në këtë publikim të cilat i paraqiti Besnik Beqaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Koordinatorja për memorializimin me qendër në Beograd, Jelena Djureinoviq, tha se mungesa e memorialeve adekuate është problem rajonal.
“Iniciativa e memorializmit të Batajnicës Ideja është që të insistojmë që të kemi fakte dhe i bazuar në kritika në narrativat dominues. Gjithashtu kemi bërë hulumtime që na nevojiten analiza se çka po bëjmë, në mënyrë që ta bëjmë më mirë”.
“Memorializimi dhe përpjekjet e saja janë problem rajonal. Kjo është karakteristikë në krejt shtetet dhe asnjë prej luftërave nuk ka qenë i izoluar. Këto luftëra nuk kanë qenë vetëm në një shtet, por në shumë. Shoqëria civile si aktivizim rajonal, ne kemi shembuj të ndryshëm, dhe bashkëpunimi rajonal është e vetmja paqe për të ballafaquarën me të kaluarën”.
Analisti Bekim Baliqi, ndonëse tha se krimet nuk mbesin pa u ndëshkuar në Kosovë ende shumë raste nuk janë zgjidhur.
“Memorializimi në përgjithësi është se në dekadat e fundit është parë pjesë përbërëse e shoqërisë, ashtu si individi që është i lidhur me kujtesën personale. Është i lidhur me ngjarjet që kanë ndodhur, dhe nuk ka ngjarje më traumatike sesa lufta. Ajo çka është me rëndësi është se vetëm disa aspekte të ballafaqimit me të kaluarën po kërkon kohë”.
“Të gjitha luftërat, vetë shoqëria ka pasur një distancë të caktuar kohore. Kosova gjendet në një periudhë se kush vërente ka bërë krime. E vërtetë që krimet e bëra nuk kalojnë pa u ndëshkuar, dhe në rastin tonë shumë krime e raste nuk janë zgjidhur”, tha Baliqi.
Gazetari Kreshnik Gashi, tha se kanë krijuar një platformë rajonale për evidentimin e varrezave masive.
“Është shumë me rëndësi që këto memoriale shfrytëzohen në hapësirat publike dhe mesazhi në ato hapësira duhet me qenë i qartë e i koordinuar me të gjithë komunitetin dhe duhet të ketë një standard. Shumica e informacionit konsumohet në internet e të cilat janë të qasshme për qytetarët”.
“Është krijuar një platformë që merret me dokumentimin e varrezave masive, e cila është e mbipopulluar me informacione nga Bosnja dhe Serbia, dhe synojmë që ta bëjmë me informacione edhe nga Kosova. Kjo platformë e para dokumenton krimin në të cilën ka ndodhur me viktimat pas vrasjes së tyre, pra me varrezat masive me tentativat që krimi me u zhduk”, tha Gashi, i cili kritikoi institucionet kosovare për mungesë përkrahje të kësaj platforme.
E artisti, Dardan Luta, tha se mungesa e duhur e busteve është e dëmshme për historinë e Kosovës, raporton EO.
“Një pjesë e madhe e njerëzve nuk kanë dëshirë të kthehen tek stresi që e kanë pasur gjatë luftës dhe në rastet e ngjashme siç ndodhi në Ukrainë dhe menjëherë na prek atë stresin tonë që mos po na ndodh edhe neve”.
“E keni parë një fotografi në sheshin e Prishtinës, afër bustit të Zahir Pajazitit, ku shihet një burrë në mesin e demonstratave i ulur në gjunjë, dhe pikërisht të atij burri nuk kemi memorial, që një vizitor kur të vijë ta dijë se çfarë ka ndodhur”, tha ai.