Me rastin e 38-vjetorit të rënies në demonstratat e vitit 1981 të dëshmorëve Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, u bënë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tyre.
Homazhet u bënë te pllaka përkujtimore, afër objektit të Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva kishin vetëdije të lartë dhe u vranë pasi kërkonin Republikë.
“Sot jemi këtu para pllakës përkujtimore të bëjmë homazhe dhe nderim për dy dëshmorë për Naser Hajrizi dhe Allsan Pirevën që të dy kishin vetëdijen e lartë dhe kërkonin Republikë e Kushtetutë”.
“Ata u vranë nga plumbat e regjimit serb mirëpo kujtimi ynë për ta është i pashlyeshëm. Ne tash shënojmë 20 vjetorë të ndryshëm me që për çdo ditë masakra nga forcat serbe janë kryer në komunat e Kosovës”.
Kurti tha se faktorët ndërkombëtarë duhet të bëjnë trysni ndaj institucioneve serbe që të japin përgjegjësi për të pagjeturit.
“Besoj që tek e vërteta arrihet nëpërmjet përgjegjësi duhet kërkojmë përgjegjësi nga Serbia dhe nga faktorët ndërkombëtarë që ta shtrojnë trysninë mbi Beogradin”.
“Ne atyre iu kemi borxh si institucione shtet dhe politikan dhe duhet kërkojmë nga faktori ndërkombëtarë që të kërkojë përgjegjësi nga Serbia”.
Ndërsa Sadie Hajrizi nga familja e dëshmorit Naser Hajrizit tha se çdo përvjetor për ta është i njëjtë.
“Për neve çdo përvjetor është i njëjtë dhe jemi të kënaqur jemi deri diku pasi për ne është e njëjtë dhembja”.
Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva ishin organizatorë të të rinjve në demonstratën e mëngjesit të 2 prillit 1981 në qendër të Prishtinës.
U vranë nga të shtënat e oficerëve ushtarakë, të vendosur gjatë natës në objektin e Bankës Popullore.