Paraditen e sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga drejtorë të drejtorive komunale, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë bërë homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së në Ferizaj në përkujtim të ditës së rënies së lavdishme të Dëshmorëve të Kombit, Njazi Bajraktari dhe Faton Vehbiu.
Me këtë rast, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu u shpreh se gjaku i dëshmorëve dhe të rënëve për lirinë e Kosovës është guri i themelit dhe udhërrëfyesi i shtetndërtimit të Republikës së Kosovës.
Duke nderuar dëshmorët, nderojmë sakrificën e popullit tonë për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Babai i dëshmorit Njazi Bajraktari dhe vëllai i dëshmorit Faton Vehbiu, thanë se ndihen krenarë për djemtë që ia falën atdheut.
“Është dhimbje por edhe krenari, unë i falënderoj pjesëmarrësit që bëjnë homazhe dhe që i respektojnë dëshmorët, djali im ka qenë 18 vjeçar, ai ka shkuar në luftë bile me pushkë të babagjyshit, është dhimbje për familjen, por edhe krenari, pasi atë çka e kanë menduar ata është arrit dhe shpresoj që edhe ta ruajmë”, tha Sylejman Bajraktari.
“Mërzi nga pak por edhe krenari, unë vëlla e kam dhe gjithmonë thoshte që jetën ka me dhanë për Kosovë dhe gjithmonë e ka pasur atë bindje”, tha vëllai i Fatonit, Mejdi Vehbiu. Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Ferizajt Gafurr Bytyqi, tha se në këtë ditë krenarinë e familjeve të dëshmorëve e forcon fakti që kosovarët jetojnë lirshëm, për çka edhe u flijuan gjithë dëshmorët.
“Ashtu siç bëmë homazhe dje e pardje dhe që 20 vite për 2 mijë e 200 dëshmorë edhe sot bëmë homazhe, përkujtuam rënien në altarin e lirisë të Njazi Bajraktarit dhe Faton Vehbiut, dy dëshmorët e Komunës së Ferizajt, atëherë kur Kosova zmbrapsej nga forcat serbe dhe paramilitarët e tyre në pritë të këtyre forcave u dolën djemtë e ri si Njaziu e Fatoni dhe për pasojë këta ranë në altarin e lirisë dhe neve na mbetët të jetojmë pjesën tjetër të jetës me krenari që patëm kësi djem e kësi vajza”, tha Bytyqi.
Homazhet për dëshmorët Njazi Bajraktari dhe Faton Vehbiu përfunduan me vendosjen e kurorave të luleve tek guri i varrit të tyre dhe përkuljen e qindra pjesëmarrësve tek lapidari i Dëshmorëve të Kombit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj.