Përkujtohen martirët dhe dëshmorët e fshatit Fortesë

Rahovec | 25 Mar 2017 | 12:13 | Nga Jehona Zhuniqi

Janë përkujtuar në 18 – vjetorin e rënies 65 martirë dhe dëshmorë të fshatit Fortesë së Komunës së Rahovecit.

Në këtë tubim përpos familjarëve prezent ishte edhe kryetari i Komunës së Rahovecit Idriz Vehapi dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, Lahi Brahimaj e Time Kadrijaj.

Kryetari i Komunës së Rahovecit Idriz Vehapi tha se kjo ditë është ditë e dhimbshme, por që duhet të jetë motiv për të punuar edhe më shumë në ndërtimin dhe forcimin e shtetit, raporton Ekonomia Online.

“Para 18 vite kishin filluar masakrat e papara. Këto masakra vetëm i kishte paralajmëruar krimineli Millosheviç. Këtë tërbim ai e kishte sepse ai e shihte kapitullimin e tij. Ne si popull kemi vuajtur shumë mirëpo asnjëherë nuk jemi dorëzuar para armiqve edhe pse të kaluarën nuk kemi pasur shumë miq. Ju thërras edhe tani mos të dorëzohemi. Të punojmë bashkë pa dallim”, ka thënë ai.

Selajdin Zhuniqi në emër të familjarëve të të vrarëve tha se sot përkujtojnë 18 vjetorin e të rënëve, të cilët u vranë për të mos vdekur kurrë.

“Këta dëshmorë dhe martirë u vranë për të mos vdekur kurrë”, ka thënë ai.

Në fund të tubimit të pranishmit bënë homazhe pranë të varreve të të rënëve.

 

Të ngjashme