Në 42-vjetorin e rënies së dëshmorëve Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, u mbajtën homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tyre.
Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva kanë qenë militantë të organizuar të Lëvizjes çlirimtare të kohës dhe organizatorë të të rinjve në demonstratën e mëngjesit të 2 prillit 1981 në qendër të Prishtinës. Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva janë vrarë nga të shtënat e oficerëve ushtarakë, të vendosur gjatë natës në objektin e ish-Bankës Popullore.
Bujar Hajrizi, vëllau i dëshmorit Naser Hajrizi tha se të dy dëshmorët I kanë kënduar lirisë dhe ranë në Pranverën Shqiptare të vitit 1981.
Në përkujtim të ngjarjeve dhe datave të historisë së popullit tonë shqiptar për liri dhe çlirim vend të merituar kanë edhe dëshmorët dhe në varret e dëshmorëve janë edhe dy dëshmorët të cilët po i kujtojmë sot, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, të rënë më dy prill të vitit 1981, Naseri dhe Asllani ishin nxënës të shkollës së mesme në atë kohë u quajt Milladin Popoviq, tani quhet Gjin Gazulli, ishin militantë të Lëvizjes Kombëtarë të organizuar në lëvizje të asaj kohe dhe dëshmorë të pranverës shqiptare 81. Domethënë në këtë vend ku jëmi tubuar sot më 2 prill 1981, Naseri dhe Asllani duke i prirë demonstratave të vitit 81, me flamur në dorë, duke i thirrur lirisë dhe duke i kënduar lirisë bien dëshmorë të Pranverës Shqiptare 81.
Ndërkaq, Mehmet Hajrizi, veprimtar i çështjes kombëtare përkujtoi ditën kur Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva ranë dëshmorë, pra u vranë nga forcat serbe.
“42 vjet më përpara si sot, më 2 prill të vitit 1981, gjatë gjithë ditës ishte kulmi i kryengritjes së atij viti, që po zhvillohej pikërisht këtu në Prishtinë, demonstruesit nga anët e ndryshme të Kosovës, nxënës, studentë, intelektualë, fshatarë, punëtorë, burra gra kishin ardhë atë ditë këtu që të shprehnin revoltën e tyre dhe të kërkonin të drejtat legjitime, për një Kosovë të barabartë me njësi të tjera federale në Jugosllavi, për të qenë i barabartë edhe populli shqiptar me popujt tjerë në Jugosllavi atëherë, ishte një e drejtë jo vetëm legjitime por ishte edhe krejtësisht e arsyeshme dhe sadopak të kishte humanizëm, demokraci në atë vend atëherë nuk do të refuzohej aq egër kjo kërkesë por do të shqyrtohej seriozisht për të iu dhënë të drejtat shqiptarëve që i kërkonin me dekada dhe që i paguanin me gjak. Atë ditë këtu rreth orës 9 ka ndërhyrë policia dhe ushtria dhe i kanë shpërndarë demonstruesit dhe këtu në këtë shesh të vogël janë vrarë dy të rinjë Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, në ballë të demonstratës që ishin dëbuar nga sheshi “Skendërbeu” tash dhe ishin vendosur këtu, duke menduar se mund të vazhdojë protesta edhe në këto hapësira të ngushta, shtënia me armë është bërë nga kati i tretë i kësaj ndërtese këtu sot kryeministria sot ku është e vendosur e tëra ka qenë e banuar gjatë natës nga forcat ushtarake jugosllave dhe kanë thënë me snajper ka gjuajtur një oficer ushtarak dhe i ka vrarë të dytë. Plumba edhe para se të vriteshin ata kanë rënë në ndërtesën e ish- shtëpisë të mallrave që e kemi këtej, edhe një shtëpi këtu është goditur plumbi dhe sot zoti i shtëpisë e ruan atë shenjë të plumbit si moment kur janë vrarë dy të rinjtë, demonstruesit dhe udhëheqësit e demonstratës. Kryengritja e vitit 1981 ka vazhduar edhe pas datës 2 prill, deri sa këtu në Prishtinë janë vrarë 4 demonstrues, në Vushtrri ditën tjetër në vazhdim janë vrarë edhe dy të tjerë edhe dy në Ferizaj. Pastaj ka pasë edhe vrasje në burg , mbytje tortura në burg, vrasje në Gjakovë, vrasje në Prekaz, kështu që numri i të vrarëve ditët e kryengritjes dhe menjëherë pas saj është rritur ndjeshëm në krejt Kosovën, nga anëa tjetër me armë zjarri është gjuajtur sipas statistikave ndërkombëtare, mbi 1 mijë njerëz, të cilët për fat nuk janë vrarë, por janë plagosur rëndë dhe sot i vuajnë pasojat e atyre plagëve. Demonstrata meqënëse ishin shumë demonstrata, ne po i quajmë kryengritje, një kryengritje paqësore domethënë dhe i gjithë populli që kishte dalë në rrugë. Pati e para një jehonë shumë të gjerë në botë, një solidaritet ndërkombëtar me të drejtat e shqiptarëve një ndërkombëtarizim të çështjes shqiptare ndoshta për herë të parë pas luftës së dytë botërore në përmasa të tilla dhe përbënte një si rubikon, nga ai moment Kosova nuk mund të kthehej mbrapa dhe të vazhdonte, dhe vazhdoi ç’është e vërteta, kryengritja e vitit 1981 është padyshim ngjarja më e rëndësishme pas luftës së dytë botërore në botën shqiptare dhe prej atëherë, filluan të shkruajnë mediat e huaja madje edhe CIA amerikane të parashikonte shembjen e Jugosllavisë sepse ishin lëkundur themelet e saj pikërisht këtu në Kosovë”, tha Hajrizi.