Fakulteti i Mjekësisë mbajti mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së profesorit të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, Binak Kastrati, raporton Ekonomia Online.
Në fillim të kësaj mbledhje u mbajt 1 minutë heshtje në nderim të profesor Binak Kastratit.
Rektori i UP-së, Marian Dema, tha se kontributi i profesorit Kastrati është i çmuar ngase shkolloi shumë gjenerata si profesor i gjinekologjisë.
“Është moment pikëllues dhe i dhimbshëm mbledhja për tu përshëndet me Binakun që i dha shumë UP-së dhe vendit tonë. Kontributi i tij për UP-në është shumë i çmuar . Profesori shkolloi shumë gjenerata si profesor i gjinekologjisë dhe shërbeu si dekan i fakultetit”, tha ai.
Sipas Demës, profesori Binak Kastrati la gjurmë edhe si deputet 1968-69 qe u bë inicues për hapjen e Fakultetit të Mjekësisë.
“Ai la gjurmë edhe si deputet në vitet 1969-68 dhe u bë iniciues për hapjen e Fakultetit të Mjekësisë. Dha kontribut në sallën e lindjes. Urtësia e përkushtimi i tij gjenden të trashëguara në mësimet e studentëve të tij”, tha ai.
Dema tha se profesor Kastrati nuk iu nda librit deri në momentin e fundit të jetës së tij.
“Të dashur familjarë ju humbët të dashurin tuaj, ne një profesor të shquar qe deri në ditën e fundit nuk ju nda librit e shkencës” tha ai.
Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismajli, foli në emër të tij dhe drejtorit Basri Sejdiu.
Ismjali tha se emri i profesor Binak Kastratit do të mbetet një simbol.
“Emri i tij do mbetet simbol. Veprimtaria duhet të vlerësohet lart në okupimin e një regjimi të egër. Kontributi për UP-në ishte shumë i çmuar. Profesori kishte virtyte të larta humane, lente përshtypje si njeri i mirë, nderonte familjarët dhe shoqërinë. Fjalët janë të pakta për një njëri me vlera. Profesor Binaku iu bashkua thirrjes për çlirim të atdheut”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Shoqatës se Gjinekologëve dhe miku i profesor Binakut, Shefqet Lulaj, tha se varrimi i profesor Binakut ishte madhështor dhe se prezenca e madhe e shokëve dhe miqve të tij tregoi veprën dhe madhështinë e tij.
“Dje ishte varrim madhështor në vendlindjen e tij, ku prezenca e një numri të madh shokëve, miqve, tregoi veprën dhe madhështinë e prof Binakut”, tha Lulaj.
Sipas tij, fjalët nuk mjaftojnë për te shprehur mirënjohjen për punën e profesor Binak Kastratit.
Profesoresha Lumtrije Gashi foli me plot emocion për mikun e tij.
“Humbëm një mik, koleg dhe njeri të jashtëzakonshëm. Ne që kemi qenë të afërt dimë një moment , mbesat dhe nipat e tij, kanë tregu një dashni dhe përkushtim të paparë. Ata mburren me gjyshin e vet dhe suksesin e tyre”, tha ajo.
Sabrije Kastrati-Lumi, e bija e Binak Kastratit, foli në emër të familjes Kastrati.
Ajo tha se në jetë çdo person përballet me humbjen e personit më të dashur.
“Në jetën e secilit përballemi me momentin e vështir për njeriun që mban gjithë jetën si personin më të dashur. Ne familja dhe gjithë miqtë jemi ndarë nga babi, vëllai, miku për të cilin mbajmë në mend vetëm kujtime të mira. Ka qenë babai më i mirë në botë. Ka qenë i dashur dhe i rreptë në edukatën tonë. Si fëmijë ishim të mësuar që babin ta ndajmë me pacientë , klinikën e UP-në. Jeta e tij ka qenë në shërbim të mbijetesës së shqiptarëve, ëndrra e tij që shqiptarët të jenë të lirë”, tha e bija e tij.
“I dashur baba do na mungoj edhe më shumë. Në vitet para luftës ishte bashkëpunëtor i afërt i Anton Qetës, një nga burrat e rrallë e të guximshëm. Ishte i afërt edhe me presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën”, tha Kastati- Lumi.
Profesor Binak Kastrati u lind në vitin 1938 dhe vdiq më 1 janar të këtij viti.