Fakulteti Ekonomik ka organizuar mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së profesorit Partizan Shuperka, raporton EkonomiaOnline.
Profesori universitar, Rifat Blaku tha se profesori Partizan Shuperka ishte një njeri i përkushtuar në punë e shkencë dhe se do të përkujtohet si njeri me muro dhe pozitivitet.
Po ashtu Blaku tha se Shuperka në fokusin e tij të interesimit shkencor e kishte ndikimin e përparimit teknologjikë në procesin e zhvillimit ekonomik.
“Ai punoi me përkushtim për mbi 3 dekada me studentët. Zyrat dhe kabinetet i kishim afër dhe pothuajse çdo ditë takoheshim dhe bisedonim. Në këto 3 dekada do veçoja aftësitë e tij si studiues. Ka qenë modest sepse lexonte shume. Ai karakterizohej jo vetëm si një pedagog por edhe si koleg që kishte një memorie të hatashme për ngjarje zhvillime dhe përjetim dhe gjeopolitike. Për çdo ditë ai informohej për lajme botërore dhe ndërkombëtare. Ka qenë një arsimtar i profilit të veçantë. Kishte pritje që për njërin prej nesh të gjente një pikë humori shpeshherë provokues por edhe pozitiv. Ne profesorin e kishim si një prototip të relaksimit nëpër ndeja. Emri i Partizan Shuperkut do të mbetet i lartë dhe me shumë nderime”, tha ai.
Kryetar i Shoqatës së personave me aftësi të kufizuara, Agim Vatovci, tha se profesor Shuperkën e kishte frymëzim, teksa tha se lajmin ëpr vdekjen e tij e përjetoi rënd.
“Kam ardh për një shkak se që 40 vite jam dal prej këtij fakulteti. Çdo herë kur më ka pa profesori më ka thanë mëso. Lajmin e hidhur që e kam marrë mos kujtoni që e kam pas të lehtë”, tha ai.
Astrit Shuperka, nip i profesorit të ndjerë, tha se ai ka qenë mentor i tij në jetë.
“Ka qenë një njeri që e kam dashtë shume dhe ka qenë një mentor në jetën time. I dini ju shakat e tij dhe mençurinë që është munduar të na mësojë”, tha ai.
Prof. Dr. Partizan Shuperka u lind me 1 shtator 1945 në Prizren. Shkollën fillore dhe Gjimnazin e kreu në Gjimnazin i kreu në vendlindje. Në vitin 1962 u regjistrua në Seksionin Ekonomik – Fakultetin Ekonomik të Prishtinës.
Në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës punoi që nga viti 1972, fillimisht si docent e më pastaj më 1977 u zgjodh profesor inordinar dhe më 1986 zgjidhet profesor ordinar, ku punoi dhe veproi deri në pensionimin e tij më 2012-në.