Numri i madh i veteranëve dhe dyshimet se këto lista kanë mundur të manipulohen, kishin shtyrë Prokurorinë e Shtetit që të nisin një hetim për këtë çështje. Por, deri më tani nuk është se ka ndonjë rezultat konkret.
Përkundër hetimeve nga prokuroria, vërtetime të veteranëve po vazhdojnë të lëshohen me të madhe.
Të paktën kështu e ka konfirmuar për lajmi.net, nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.
Ai ka bërë të ditur se ende lëshohen nga 100-200 vërtetime për statusin e veteranit.
“Prokuroria me neve ka kontaktuar në fillim dhe i ka marrë dosjet. E di që janë në shtjellim e sipër, ende nuk ka përfunduar me hetime, janë duke punuar me hetime. Megjithatë po flitet që përkundrazi kësaj, ende po lëshohen me kah 100-200 copa vërtetime të veteranëve”, ka thënë nënkryetari i OVL-UÇK-së.
Haradinaj ka theksuar se për lëshimin e vërtetimeve është një komision i veçantë që merret me verifikimin e veteranëve.
Sipas tij, ka ende veteranë të merituar por që nuk e kanë marrë ende vërtetimin.
“Është një komision qeveritar, dhe komisioni vendos për lëshimet e këtyre vërtetimeve. Aty duhet të shikohet dhe të verifikohet. E di që ka ende veteranë të merituar dhe nuk e kanë marrë, tash për tash presim çka po del rezultati i hetimeve”, ka thënë Haradinaj për lajmi.net
Organizatat e Veteranëve të luftës së UÇK-së janë të gatshme të bashkëpunojmë me Prokurorinë për këtë temë, thotë Haradinaj.
Por deri ku kanë arritu hetimet dhe a është intervistuar ndonjë i dyshuar nga Prokuroria e Kosovës?
Lajmi.net për tri ditë ka dërguar pyetje në adresë të zëdhënësve të Prokurorisë së Shtetit por asnjë përgjigje nuk është kthyer.
Veç kësaj është provuar edhe kontakti përmes telefonit, por asnjëri nga zyrtarët për media nuk e kanë hapur telefonin.
Ndryshe numri i madh i veteranëve është kritikuar shumë herë.
Madje në vitin 2016 përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar kishin thënë se Kosova do të paguajë mbi 100 milionë euro në vit, me numrin e veteranëve që e ka aktualisht.