Kriza ekonomike, që sipas shumë ekspertëve pritet ta godasë ekonominë botërore, ka bërë që shumë shtete t’i ulin pritshmëritë për rritjen ekonomike.
Paradoksalisht, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), deficiti tregtar i Kosovës për muajin prill 2020, i krahasuar me periudhën e njëjtë me vitin e kaluar, është ulur për 37,6%.
“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-37,6%) në muajin prill 2020 në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 161.2 milionë eurosh, duke e krahasuar me deficitin prej 258.5 milionë eurove në vitin 2019. Eksporti mbulon importin me 16,9%”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Statistikave.
Edhe për muajin mars bilanci eksport-import është duke shënuar progres.
Sipas Agjencisë së Statistikave, eksporti për muajin mars 2020 mbulon 12.8 të importit në Kosovë. “Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-15,3%) në muajin mars 2020 në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 219.9 milionë eurove, duke e krahasuar me deficitin prej 259.6 milionë eurove në vitin 2019. Eksporti mbulon importin me 12,8%”, njofton ASK-ja.