Mbrëmë në kryeqytet janë dëgjuar krisma armësh ku të përfshirë në incident ishin dy grupe të njohura për organet e rendit.
Rasti ka ndodhur rreth orës 19 e 30 minuta mirëpo pavarësisht gjuajtjeve nuk ka pas persona të plagosur.
Pas disa minutave, në stacionin policor në Prishtinë janë paraqitur tre të dyshuar, ku njëri prej tyre ka dorëzuar edhe armën e tij më të cilën dyshohet se është gjuajtur.
Të dyshuarit janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit të rastit të njëjtit janë dërguar në qendrën e mbajtës deri në një vendim të ri të organeve të drejtësisë.
“Është pranuar informata për gjuajtje me armë zjarri ku dyshohet se nga dy vetura në lëvizje persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri. Lidhur me rastin në stacion policor janë paraqitur tre të dyshuar meshkuj kosovarë, ku njëri prej tyre ka dorëzuar armën e tij. Pas intervistimit me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë dërguar në qendër të mbajtjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Rasti është hapur për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.