Dy tifozë kanë mbetur të lënduar pas përleshjeve mes tifozëve të Arsenalit dhe Chelseat para përballjes së këtyre dy klubeve në finalen e Ligës së Evropë, që zhvillohet sonte në orën 21:00.
Zëdhënësi për media i Ministrisë së Shëndetësisë të Azerbajxhanit, Parviz Abubekirov, ka thënë se një tifoz është shtruar në spital pasi e ka një plagë në kokë dhe ka mbetur i mavijosur pas përleshjes mes tifozëve.
Abubekirov shtoi se një burrë me nënshtetësi ruse u lëndua dhe u trajtua në po të njëjtin vend, mirëpo ai nuk kishte lidhje me incidentin në fjalë, përleshjen mes tifozëve të Arsenalit dhe Chelseat.
Relativisht pak tifozë anglezë kanë udhëtuar në Azerbajxhan për finalen e së mërkurës për shkak të çmimeve të larta të udhëtimit. As Arsenali e as Chelsea nuk arritën t’i shesin 6 mijë biletat që ua kishte dhënë UEFA.
Megjithatë, shumë tifozë të të dyja klubeve kanë udhëtuar në Azerbajxhan nga Rusia dhe vendet e Azisë juglindore. Për më tepër, edhe Arsenali, edhe Chelsea kanë tifozë në Azerbajxhan.