Përleshje në Fushë-Kosovë: Theret me thikë një 30-vjeçar, dërgohet në QKUK me lëndime të rënda

Prishtinë | 27 Gus 2023 | 13:18 | Nga Ekonomia Online

Mosmarrëveshjet mes të rinjve shpeshherë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete. Gjatë konfrontimeve fizike, përpos grushteve shpesh përdoren edhe mjete të mprehta.

Në një përleshje janë përfshirë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm dy të rinj në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Fushë Kosovë, ku si pasojë një 30-vjeçar ka mbetur i therur me thikë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar me urgjencë në QKUK, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa i dyshuari akoma nuk është identifikuar.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit, si dhe inicimin e rastit ndaj tij.

Të ngjashme