Përmbyllen xhirimet e filmit “Table Stories” nga Samir Karahoda

Prishtinë | 12 Mar 2021 | 13:10 | Nga Ekonomia Online

Të mërkurën janë përmbyllur xhirimet e filmit hibrid ‘Table Stories’ nga regjisori Samir Karahoda. Edhe pse produksioni u ballafaqua me vonesa për shkak të pandemisë që ndikojë në fillimin e xhirimeve në shtator 2020, ekipi i filmit arriti që t’i përfundojë me sukses të gjitha skenat e parapara të filmit këtë të mërkure.


Projekti bazohet në ngjarjet e vërteta të anëtarëve të ekipit të pingpongut të cilët afër 10 vite u endën nëpër Prizren me tavolina Ping Pongu duke kërkuar hapësira për të stërvitur dhe mbajtur gjallë ëndrrat dhe vetë këtë sport në qytet.


Jeton Mazreku, Ermegan Kazazi dhe Rifat Rifati, protagonistët kryesor të filmit edhe pse pa përvojë aktrimi arritën që ti rikrijojnë skenat me të cilat ata janë ballafaquar gjatë përpjekjeve në riaktivizim të klubit të pingpongut. Filmi në fakt gërsheton tregimin e të kaluarës, të rikrijuar në kushtet e sotme dhe ka një numër shumë të madh të protagonistëve dytësor, angazhimi i të cilëve mundësoj realizimin e të gjitha skenave sipas planit fillestar.


Filmi është xhiruar në Prizren dhe rrethinë, në ambiente të ndryshme ku protagonistët janë stërvitur asokohe, si dhe në hapësirat e Qendrës Sportive ‘Sezair Surroi’ ku sot funksionon klubi i pinpongut ‘Lidhja e Prizrenit’ nga edhe kanë dalur një numër shumë i madh i pingpongistëve më të suksesshëm të Kosovës.


“Edhe pse filmi ka edhe elemente fiksioni, ishte një përvojë krejt tjetër të punosh me protagonist sportist, ku entuziazmi për të treguar historinë dhe të vërtetën e tyre, më së miri e shpjegon edhe dashurinë e tyre ndaj këtij sporti dhe këtij vendi. Përmes këtij rrëfimi duam të sensibilizojmë shoqërinë, në veqanti institucionet për mungesën e hapësirave sportive dhe dëshirën e madhe të rinisë për të realizuar andrrat e tyre në një vend të pa shpresë.” tha autori i filmit Samir Karahoda.


Edhe pse produksioni u finalizua pa i pranuar mjetet financiare për shkaqe burokratike në MKRS, producenti i filmit Eroll Bilibani u shpreh mirënjohës ndaj gatishmërisë së protagonistëve dhe mirëkuptimin e të gjithë atyre që punuan në film. “Ky projekt nuk do të mund të realizohej pa angazhimin e sinqertë të protagonistëve dhe të pingpongistëve të rinj, të cilët ishin në kohë gatishmërie sa herë që na duhej të i rikrijojmë skenat. Poashtu, u jemi shumë mirënjohës të gjithë atyre që na mundësuan shfrytëzimin e hapësirave në realizimin e skenave të filmit, dhe gjithë ekipit që u angazhuan pa u kompenzuar me kohë” tha ai, duke shtuar që njejtë edhe pjesëtarët e ekipit të filmit e shijuan fatin e pingpongistëve.


Të ngjashme