Save the Children ka bërë shpalljen e fituesve të garës së vizatimit “Mbro Arsimin Tonë”, garë në të cilën fëmijët paraqitën përjetimet e tyre gjatë pandemisë, raporton Ekonomia Online
Ahmet Kryeziu, drejtor i Save the Children, duke kërkuar nga Qeveria investim në arsim, tha se për shkak të pandemisë fëmijët e varfër dhe ata të margjinalizuar mund të moskthehen në shkolla sërish.
“Kam nderin që në emër të organizatës tu drejtohem në rast të shpalljes së fituesit në garën ‘Mbro Arsimin Tonë’. Kjo fushatë ka filluar që më vitin e kaluar. Vlerësohet se 1.6 milionë fëmijë në botë kanë qenë jashtë shkollës dhe janë afektuar nga Covid-19”.
“Për herë të parë në histori të njerëzimit një brezi të tërë u është ndaluar arsimi. Ne mendojmë që fëmijët e varfër dhe të margjinalizuar janë në rrezik për moskthim në shkolla. Kjo garë u dha mundësinë fëmijëve të tregojnë ndikim që pandemia ka lënë te fëmijët. Qeveritë të investojnë në arsim tani”, është shprehur ai.
Ndërsa Lulavere Behluli, udhëheqëse e Divizionit për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta nga ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit tha se pandemia ka qenë sfidë dhe se nuk kanë pasur përgatitjen e duhur.
Ajo poashtu është shprehur e nderuar që po sheh vizatime të ndryshme të punuara nga nxënësit të cilët e kanë shprehur kështu eksperiencën që ata dhe shokët e tyre e kanë përjetuar gjatë pandemisë.
“Përshëndes këtë iniciativë globale që vjen në një kohë të jashtëzakonshme për sistemin arsimor. Përvojat e tyre dhe të shokëve fëmijët i kanë shprehur përmes vizatimeve që i kemi këtu. E nderuar që të shohim eksperiencat e fëmijëve të prezantuara këtu ku shfaqen emocionet dhe sfidat që kanë kaluar fëmijët përgjatë këtyre dy vite”.
“Si ministri e kemi pasur pandeminë sfidë pasi nuk kemi qenë të përgatitur sa duhet por me përpjekjet tona dhe të parterëve shpejt kemi mundësuar mësimin në distancë përmes platformave. Ministria poashtu ka ofruar udhëzues e instruksione të ndryshme për shkollat, mësimdhënësit e nxënësit”, është shprehur ajo.
Kurse Drion Shaqiri, nga Respect Our Rights (ROR), ka shprehur nevojën që ka Kosova për digjitalizimin e arsimit.
Sipas tij, synim mbetet ngritja e vetëdijes së institucioneve për gjendjen jo të mirë të arsimit në vend, raporton EO.
“Tema e arsimit na ka mbledhur të gjithëve sot. Ne synojmë ngritjen e vetëdijes së institucioneve për gjendjen jo të mirë të arsimit në Kosovë. Për mësimin në distancë themi se është cenuar e drejta për arsim. Kjo është dëshmuar përmes hulumtimeve që kemi bërë”.
“Problemet më të mëdha që kanë pasur fëmijët gjatë vitit të kaluar e këtij viti është qasja në pajisje e koncentimi në disa lëndë të caktuara. Kosova ka nevojë që të ketë një arsim të digjitalizuar”, ka thënë ai.
Disa nga fituesit e kësaj gare ishin: Redon Blakaj, Siera Deshishku e Ronelda Sejdiu.