Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për medie ka folur lidhur me ankesat e banorëve ndaj “Prishtina Parking”, raporton Ekonomia Online.
Rama ka thënë se ka kontaktuar edhe drejtorin e “Prishtina Parking” dhe ai është zotuar se problemet do të rregullohet.
Ai ka shtuar se vendimit i cili ka të bëjë me këtë çështje duhet t’i shtohen edhe disa pika, ku propozimi i tij është që rrugët mos të bëhen me laura por me shenjëzim horizontal dhe vertikal.
“Jemi duke e shikuar edhe këtë situatë dhe jemi duke e analizuar. Disa zona të cilat e kanë thirrur ‘Prishtina Parking’ dhe kanë dashur të bëjnë organizime të mirëfillta”, tha Rama, raporton EO.
“Normalisht ekziston vendimi është rregullorja të cilës i duhen disa pika shtesë të cilat vetëm se janë propozuar tash dhe do të përmirësohen. Unë kam propozuar që rrugët nuk duhet të ndërpriten me laura, por duhet të kemi shenjëzim vertikal dhe horizontal”.
Rama tha se “Prishtina Parking” është organizatë e cila duhet të jetë për të mirën e qytetarëve, dhe ka zona të cilat janë të pakontrolluara.
“‘Prishtina Parking’ është organizatë që duhet të jetë për të mirën e qytetarëve të Prishtinës. T’iu ndihmojë banorëve rezidentë. Shembull këto zona nuk janë të kontrolluara dhe mundet me ardhë kushdo dhe çfarëdo komune tjetër me u parku dhe me ndet tërë ditën, sepse askush nuk të thotë se nuk bën me u parku këtu”.
“Nëpërmjet ‘Prishtina Parking’, nëpërmjet shenjëzimit horizontal dhe vertikal, e mundësojmë që zonat të jenë të kontrolluara dhe rezidentët të kenë qasje në parking. Kemi kontaktuar edhe drejtorin e ‘Prishtina Parking’ lidhur me këto pika dhe është zotuar se të gjitha do të rregullohen”, raporton EO.
LEXO EDHE: