Përparim Rama shkarkon nga detyra drejtorin Ilirik Musliu “për shkak të gjendjes alarmante me mbeturina”

Prishtinë | 02 Shk 2024 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka liruar nga puna drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, i cili vjen nga radhët e PDK-së.

Ai ka thënë se këtë po e bën për shkak të gjendjes alarmante lidhur me menaxhimin e mbeturinave.

Rama ka theksuar se tash e një vit ka kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria zgjidhje të kësaj situate të cilën e ka konsideruar si alarmante dhe të papranueshme dhe se nuk ka pasur zgjidhje por përkeqësim.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të gjendjes aktuale alarmante në kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave. Si kryetar i kryeqytetit, tash e një vit kam kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria përkatëse zgjidhje të kësaj situate alarmante dhe të papranueshme. Por, përkundër të gjitha këtyre kërkesave, gjendja jo që nuk është përmirësuar, por përkundrazi është përkeqësuar. Andaj, sot, kam marrë vendim për të liruar nga detyra Drejtorin e Shërbimeve Publike”, ka shkruar Rama në Facebook.

Rama, mes tjerash, thotë se ka vendosur që vet ta marrë përsipër zgjidhjen e situatës me mbeturinat në Prishtinë.

“Për më tepër, ju njoftoj se, në cilësinë e Kryetarit të Kryeqytetit, kam bërë përpjekje duke krijuar një Task Force dhe kam ndarë buxhet shtesë për këtë drejtori dhe ndërmarrjen përkatëse, por përkundër kësaj mbështetje të vazhdueshme nuk ka pasur rezultate nga drejtoria në fjalë. Prandaj, kam vendosur që të ndërhyjë dhe të marrë përsipër zgjidhjen e kësaj situate”, ka shkruar Rama.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme