Zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, ka njoftuar se homologu i tij grek, Costas Fragoyiannis, do të vijë në Kosovë javën e ardhshme për një vizitë zyrtare.
Ahmeti bëri të ditur për këtë vizitë pas një takimi që patën bashkë me kryeministrin Kurti dhe shefen e tij, Gërvalla me kryediplomatin grek Nikos Dendias, në Athinë.
“Në ditën e fundit të Forumit të Delphit ne takuam ministrin e Jashtëm, Nikos Dendias. Derisa vazhdojmë të rrisim marrëdhëniet tona midis Kosovës dhe Greqisë, mezi pres që ta mirëpres homologun tim Costas Fragoyiannis për një vizitë zyrtare në Kosovë javën e ardhshme”, ka shkruar Ahmeti në Tëitter.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës më herët ka njoftuar për takimin mes tre liderëve dhe dha detajet e bisedës.
Bashkë me kryeministrin Albin Kurti ne patëm një takim të shkëlqyer me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, në kuadër të Forumit Ekonomik Delphi. Folëm për bashkëpunim ekonomik dhe nevojën për të zgjeruar bashkëpunimin në shumë fusha në mes Kosovës dhe Greqisë”, thuhet në njoftimin në Tëitter.
Në këtë forum, Kurti dje ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti grek, duke thënë se tani është koha e duhur që të ndodhë kjo.
“Ne kemi komunikim dhe bashkëpunim të mirë me Greqinë, mes njerëzve të Kosovës dhe Greqisë, mes të dyja qeverive. Është vetëm një urë që duhet ta kalojmë. Është koha e duhur që Greqia ta njohë Kosovën. Para kësaj dhe veçanërisht pas njohjes, ne mund të rrisim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimin tregtar. Mendoj se Greqia është lidere regjionale dhe mund ta ndihmojë Kosovë të marrë njohje të reja”, ka thënë Kurti.