Veteranët e Dukagjinit e kanë vlerësuar të papranueshëm plotësim-ndryshimin e Ligjit për veteranët, pasi e cilësojnë diskriminues, derisa kreu i veteranëve të UÇK-së insiston se ndryshimet ligjore janë të mirëseardhura
Qeveria e Kosovës nuk kishte fuqi që të bënte pastrimin e listave të veteranëve nga veteranët e rrejshëm, prandaj vendosi që të bëjë plotësim-ndryshimin e Ligjit, në mënyrë që të reduktonte shpenzimet e kësaj kategorie, siç kërkonte Fondi Monetar ndërkombëtar.
Kështu kanë vlerësuar përfaqësues të veteranëve, subjektet opozitare si dhe analistët politikë në vend.
Megjithatë, ata thonë se ndryshimi i këtij ligji nuk do të zgjidhë problemin e veteranëve, madje, sipas tyre, ky ligj tashmë është i padrejtë dhe diskriminues.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, nuk është përgjigjur për këtë çështje.
Kurse, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë se ndryshimet në ligj janë bërë në të mirë të veteranëve.
“Ky nuk është një ligj i përkryer, por është më i mirë se që ka qenë. Pasi pensioni i veteranëve do të jetë deri në 250 euro. Po ashtu tani veteranët që punojnë mund të marrin 50% të pensionit, gjë që deri tani nuk mund ta merrnin. Kategorizimi ka qenë edhe në ligjin e mëparshëm, por tani kategorizimi i është bërë vetëm tek paga dhe ky kategorizim është bërë për shkak se FNM-ja ka kushtëzuar që të bëhet kjo ose të ndalet pensioni. E për mos t’ua ndalur pensionet kemi bërë këtë pranim”, ka deklaruar Gucati.(Zeri)