Ish kryeinspektori i AKI’së, Burim Ramadani, i është përgjigjur ministrit Sveçla pasi ky i fundit tha se nuk është e vërtetë deklarata e Ramadanit se Sveçla është sulmuar në Liqenin e Ujmanit.
Sveçla ka thënë se nuk është sulmuar asnjëherë as me kallash dhe as me ndonjë metodë tjetër. Ai shtoi se po i reagon kësaj “gënjeshtre” për shkak të pozitës që Ramadani ka pasë në AKI.
“Besoj që pate dezertuar apo jo? Apo ndoshta trimërisht e ke zbatuar “planin taktik IBSTL”?! Njëjtë më rrënqeth edhe pasioni i një të afërmit tënd që, në emër tënd, guxon të merr në pyetje tjerët. Madje, më rrënqethin edhe ata dëshmitarë që kanë qenë aty dhe s’kanë bërë zë! Por, nuk është tema kjo pjesë!”
Ramadani ka thënë se puna e tij në AKI “ka përfunduar me nder dhe falënderim publik më 21 dhjetor 2022”.
Ai ka thënë se Sveçla nuk ka verifikim të sigurisë.
“Tek e fundit, nuk ke Verifikim të Sigurisë ti për të ditur gjë për punën time! Je Ministër i Punëve të Brendshme, por kurrë nuk ke njoftuar nëse i je nënshtruar Verifikimit të Sigurisë, gjë që Ligji e kërkon qartësisht dhe pa asnjë dilemë! Sepse, vetëm Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit nuk kanë nevojë për Leje të Sigurisë! Ti duhesh! Nënshtroju Verifikimit të Sigurisë, sepse shteti duhet të të Verifikojë. Duhet të dihet kush je ti! Jo pse po aludoj gjë, por Ligjit i nënshtrohemi të gjithë njësoj! Unë për dallim nga ti, si zëvendës-ministër iu pata nënshtruar Verifikimit të Sigurisë. Sidoqoftë, nuk besoj që ndonjëherë në jetë kam fabrikuar gjë.”
Ramadani ka shkruar se “ikja nga rafalet e armës afër barkës nuk mund të komentohet si veprim trimërie e lavdie”
“Shumë ende të përqeshin me reagimin, fatkeqësisht!”
Në fund Ramadani e ka pyetur Sveçlën se kur do të hapet Ura e Ibrit dhe i ka thënë ta bëjë sigurimin shëndetësorë për policët e Kosovës.