Projektligji për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale ka përplasur deputetë të pozitës dhe opozitës.
Abelard Tahiri i PDK-së, tha se kjo iniciativë e propozuar nga kjo parti (PDK), është në të mirën e ‘xhepit të qytetarëve’.
Por, ai replikoi me Besim Muzaqin e Vetëvendosjes, i cili tha se në këtë formë siç është sjell Projektligji, nuk duhet të kalojë.
Në fjalën e tij, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se qytetarëve u duhet një Projektligj i tillë, pasi tha se abuzimet me çmime të barnave kanë qenë të mëdhaja.
“Kjo iniciativë të votohet, të shkohet përpara. Për ne në fund të ditës, është shumë ma lehtë me nejtë edhe me kritiku e mos me dhanë alternative, por e kemi marrë mundin me ekspertët që kemi me e draftu një ligj që ndikon direkt në xhepin e qytetarëve. E kuptojmë që edhe angazhimi i lobeve të ndryshme ka qenë i madh. Abuzimet kanë qenë shumë të mëdhaja. Zoti Besim Muzaqi ka konflikt interesi kur del na tregon se ka mafi farmaceutike. Ai ka shitë barna, tha deri në 2017 ka shitë, tha jo prej se kam hi në politikë, e kam lanë, po mirë de dil thuaj, kush janë abuzuesit në këtë industri”, tha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
Por replikë pati sërish deputeti i VV-së, Besim Muzaqi. A tregoi për punën që ka bërë para se të bëhej deputet.
“Tha se Besimi ka shitë barna, është farmacist dhe asnjë farmacist nuk shet barna, por shërben pacientët, ky është shërbim që me nder e kam bë për 10 vite. Kam përgjegjësi të lartë e mbroj punën që kam bërë edhe atë të kolegëve. Për çështjen e çfarëdo lidhje apo konflikt interesi, jemi të hapur dhe kjo s’na bën sikur ju. Sigurisht që keni presion të madh nga sponzorizuesit e këtij Projektligji, që kanë interesa të larta që të kalojë kështu siç e keni sjell.
Fjalën sërish e mori deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri. Tha se për 100 vite, VV-ja nuk mund t’i kryejnë punën që ka bërë PDK-ja.
“Unë e thash atë që tha vet parafolësi. Muzaqi tha se deri në 2017 e kam bë këtë punë. Nuk thash kurrgjë çka s’tha ky. Të njëjtën gjë e konfirmoi vet. Edhe 100 vjet me ua dhënë zoti ymër, ju si na nuk mundeni me u bë kurrë. Harrojë këtë punë”, tha Tahiri.